Korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) miratoi një program prej 202 milionë dollarësh me qeverinë e Kosovës. Në njoftimin e kësaj korporate thuhet se programi 5 vjeçar synon nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të ekonomisë së Kosovës.

Marketing

“Vendimi i sotëm i Këshillit Drejtues paraqet fazën tjetër të partneritetit të Shteteve të Bashkuara me qeverinë e Kosovës dhe vazhdimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për afro 2 milionë qytetarë të Kosovës”, citohet të ketë thënë kryeshefi ekzekutiv i MCC-së, Alice Albright.

Në njoftim thuhet se marrëveshja mes tjerash parasheh investime në infrastrukturën e energjisë, duke përfshirë bateritë akumuluese për të rritur efikasitetin dhe sigurinë energjetike, për të lehtësuar një tranzicion dhe integrim të energjisë së ripërtërishme në sistemin energjetik të vendit dhe të sigurojë një shteg drejt punësimit për të rinjtë dhe gratë në sektorin e energjisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, u shpreh “mirënjohës për vendimin e bordit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për të miratuar marrëveshjen e Kompaktit me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh. Ky është investimi më i madh energjetik në Kosovë deri më sot. Do të ndihmojë në vendosjen e themeleve për tranzicionin tonë të drejtë të energjisë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Marrëveshja u negociua gjatë pranverës dhe pasoi një periudhë debatesh pas vendimit të muajit shtator të vitit të kaluar të qeverisë së Kosovës për t’u tërhequr nga projekti i propozuar nga kjo korporatë, i cili parashihte lidhjen e Kosovës me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit është një agjenci e pavarur e qeverisë amerikane që punon për të zvogëluar varfërinë në botë përmes rritjes ekonomike. E themeluar në vitin 2004, MCC-ja ofron ndihmë të kufizuar në kohë për vendet që përmbushin standardet e rrepta për qeverisje të mirë, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave demokratike.

Foto: Pixabay / Ilustrim

Marketing