Vaksina kundër papilloma virusit (HPV), e cila mbron vajzat dhe gratë nga sëmundja e kancerit të qafës së mitrës, do të jepet edhe në Kosovë, nisur nga ky vit.

Marketing

Papilloma virusi transmetohet kryesisht përmes marrëdhënieve seksuale dhe mund të shkaktojë sëmundje të ndryshme te personat e prekur, përfshirë kancerin e qafës së mitrës te gratë.

Sipas onkologëve në Prishtinë, kjo formë e kancerit është e dyta për nga shpeshtësia e shfaqjes te gratë, pas kancerit të gjirit.

Fillimisht do të mund ta marrin personat vullnetarë apo ata që kanë predispozita gjenetike, ndërsa, nga viti i ardhshëm, vaksina do t’i shtohet kalendarit të rregullt të vaksinimit, që nxjerr Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Vaksina do të mbetet e rekomandueshme, ndryshe nga disa vende që e kanë të detyrueshme për grup-mosha të caktuara.

Vaksina, sipas autoriteteve shëndetësore, do të jepet te vajzat e moshës 12 deri në 16 vjeçe.

Në bazë të studimeve të bëra së voni nga organizata “Cancer Research”, me seli në Britani, vaksina HPV zvogëlon rastet e kancerit të qafës së mitrës për gati 90 për qind.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.

Andaj, për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, OBSH-ja rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9 deri në 14 vjeçe, kur, siç thuhet, shumica nuk e kanë filluar ende aktivitetin seksual./albora.ch/

Marketing