Dy mijë lekë të reja për një gram. Quhet ari i kuq.

Marketing

Është erëza më e shtrenjtë në botë dhe ndër tre ushqimet më të shtrenjta bashkë me tartufin e bardhë apo Caviarin. Për fat gjendet edhe në Shqipëri, shafrani.

Ngjyra e kuqe e pistilave, aroma unike dhe shija pikante e bëjnë shafranin si asnjë erëz tjetër.

Një erëz që është përdorur që në lashtësi e që përdoret edhe në industrinë farmaceutike. Konsiderohet mbreti i medikamenteve dhe i erëzave.

Kultivimi i Shafranit në Kosovë ka nisur tashmë të jetë një biznes solid, e së fundmi ka nisur të jetë po aq i suksesshëm edhe në Shqipëri.

Prodhimi më i ri i kësaj bime, po bëhet kryesisht nga një sipërmarrje shqiptaro-italiane.  Ai kultivohet në Dëshiran të Belshit në një sipërfaqe prej disa dynym.

Denisa Elezi, administratore e kompanisë “Victus Fed”, që prodhon shafranin e Dumresë në Shqipëri, thotë për AgroWeb se kjo kompani lindi në mars të vitit 2013, pas disa vitesh eksperimentimi në zonën e Dumresë dhe zona të tjera të Shqipërisë.

“Përzgjedhja e shafranit si kulturë, pas një analize të kujdesshme të territorit dhe tregut shqiptar erdhi edhe për shkak të pasionit tonë për gastronominë ku shafrani është mbreti i erëzave”.

Por, duke qenë se shafrani është një erëz jo shumë e njohur në Shqipëri, a ka kërkesë nga konsumatori shqiptar?

“Duhet të themi që përgjigjja e konsumatorëve ishte surprizuese”, thotë Denisa, duke shtuar se ‘prirja ndaj të ushqyerit mirë e shëndetshëm dhe kurioziteti ndaj shijeve të reja, ka bërë që interesi ndaj shafranit të jetë gjithnjë e më i madh.

Fara e mbjellë në Dumre është përzgjedhur nga zona e Acquila-s në Italinë qendrore, e cila është edhe zona e njohur historikisht për prodhimin e shafranit.

Si të përgatisni çaj shafrani

3 – 4 fije shafrani

Pak mjaltë

Një gotë ujë

Vendosini fijet e shafranit në një gotë me pak ujë të ngrohtë dhe lëreni për 10 minuta. Më pas hidhini aty rreth gjysmë gote ujë të nxehtë të vluar. Shtoni mjaltë nëse dëshironi për ta ëmbëlsuar. Fijet e shafranit janë të kosumueshme, nëse dëshironi.

Konsumimi i shafranit preferohet për të gjithë njerëzit, por në sasi të vogla. Këshillohet të mos konsumohet më shumë se 0.2 gram në ditë./albora.ch/

Marketing