Ambasada e Britanisë së Madhe ka shprehur habi lidhur me vendimin e marrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për të shpallur konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Marketing

Në reagimin e kësaj Ambasade thuhet se kishin ofruar mbështetje për rekrutimin e Kryeprokurorit të Shtetit, por derisa po prisnin përgjigje nga KPK-ja, janë befasuar me vendimin e djeshëm.

“Ambasada Britanike ka vite që mbështet Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK). Së fundmi, kemi ofruar mbështetje edhe për rekrutimin e pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Përderisa ne ishim duke pritur përgjigje nga KPK, vendimi i djeshëm për ta shpallur pozitën pa mbështetjen tonë, ishte befasues”, thuhet në njoftim.

Me këtë veprim, sipas Ambasadës Britanike, KPK-ja e ka humbur një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë.

“Edhe përkundër faktit se një mundësi për të dëshmuar partneritet dhe transparencë u humb, presim që KPK të zhvillojë proces rekrutues të mirë, transparent dhe meritor”, vazhdon reagimi.

Këshilli Prokurorial i Kosovës të mërkurën mori vendim që të shpallë konkurs për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit. Kryeprokurorit aktual, Aleksandër Lumezi i përfundon mandati më 21 prill. Konkursi për këtë pozitë u vendos të jetë i hapur 15 ditë pas shpalljes së tij, duke filluar nga 17 janari. KPK-ja po ashtu dje e themeloi edhe Panelin Vlerësues për poentimin e kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit./albora.ch/

Marketing