Këshilli Gjyqësor i Kosovës  ka prezantuar platformën online të Sistemit Qendror të Evidencës Penale.

Marketing

Përmes platformës e-Kosova, qytetarët e Republikës së Kosovës mund ta nxjerrin certifikatën e gjendjes penale online.

Ky projekt u mundësua në bashkëpunim me projektin e Bashkimit Evropian “Sistemi Kombëtar Qendror i Evidencës Penale”.

Certifikata e gjendjes penale përpos online, mund të sigurohet edhe në të gjitha gjykatat themelore dhe degët e tyre në nivel vendi, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit të tyre.

Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, theksoi se ky shërbim është tejet i rëndësishëm për sistemin gjyqësor dhe qytetarët e Kosovës.

“Jemi shumë mirënjohës për kontributin dhe punën ekipore të projektit SQEP, gjykatave dhe institucioneve të përfshira në Komitetin Drejtues, përfshirë Zyrën e BE-së, Këshillin Prokurorial i Kosovës, Agjencinë për Regjistrim Civil, Policinë e Kosovës, partnerë tjerë të Këshillit Gjyqësor dhe të gjithë që kanë punuar në realizimin e suksesshëm të këtij projekti madhor dhe sfidues për gjyqësorin e Kosovës”, tha Zogaj.

Ai gjithashtu theksoi se ky sistem i ka mundësuar Kosovës që të jetë unike me vendet e BE-së, duke siguruar një certifikatë standarde në të gjitha vendet e botës, me të gjitha çelësat e sigurisë kibernetike.

Edhe u.d. i Udhëheqësit të Zyrës së BE-së, Johannes Madsen çmoi angazhimin e stafit të gjyqësorit në këtë projekt si dhe shprehu mbështetjen e BE-së për vazhdimin e bashkëpunimit, me qëllim që ky sistem të jetë i suksesshëm dhe i qëndrueshëm, raporton Klankosova.tv.

Lidhur me projektin, mori fjalën edhe u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit.  Besim Kelmendi, i cili tha se funksionalizimi i kësaj platforme ka edhe një segment pozitiv të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjes së efikasitetit të institucioneve të drejtësisë.

Marketing