Prokuroria Speciale në Nish të Serbisë ka propozuar që t’i ngrihet aktakuzë deputetit shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, shkruan albora.ch.
“Dje u njoftova zyrtarisht se Prokuroria Speciale në Nish paska propozuar që të ngritët akuzë ndaj meje për ‘tejkalim të apropriacioneve të buxhetit’ përderisa kam ushtruar detyrën e kryetarit të Bujanocit më 2018 dhe 2019”, ka njoftuar Kamberi në Facebook.
Ai ka thënë se ka vite që segmentet e kontrolluara nga pushteti në Serbi, vazhdojnë të “përbaltin” emrin e tij, dhe se këtu puna e tij nuk trajtohet si kryetar i Bujanocit, por si opozitar në Kuvendin e Serbisë.
“Këtë hall ka regjimi i Vuçiqit. Nuk e ka hall korrupsionin. Madje halli i tij është pse s’jam i korruptuar. Duke qenë autoritar, ai e ka hall kundërshtimin tim. Pamundësinë që e ka parë këto vite sa jam deputet për të më heshtur dhe nënshtruar”, ka shkruar Kamberi, teksa njoftoi se nuk mund ta ndalin me presione dhe kërcënime e shantazhe. /albora.ch/