Policia e Kosovës ka konfirmuar lajmin se tri vetura janë djegur në veri të vendit.

Marketing

Sipas policisë, një qytetar i nacionalitetit serb kosovar nga Leshaku i Leposaviqit, ka raportuar në ora 03:10 se tri veturat e tij janë përfshirë nga zjarri.

Veturat sipas policisë, nuk ishin të regjistruara me targa RKS.

“Në ora 03:10, policia është njoftuar nga një qytetar serb kosovar, se në Leshak të Leposaviqit, tri vetura të tij (nuk janë me targa RKS), janë përfshirë nga zjarri. Policia ka dalë në vend-ngjarje dhe ka iniciuar rastin ‘zjarrvënie’ të cilin është duke e trajtuar”, tha për kosovapress zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.

Për djegien e këtyre tri veturave ka shkruar Shefi i stafit të Presidencës, Blerim Vela.

Vela ka fajësuar strukturat ilegale të Serbisë, të cilat sipas tij po targetojnë qytetarët për të cilët Serbia po konsideron se po bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

“Vazhdon fushata kriminale e djegies së veturave në veri të Kosovës! Tre makina të tjera janë djegur sot herët në mëngjes. Strukturat ilegale të Serbisë tani po synojnë serbët vendas që ata konsiderojnë se po bashkëpunojnë me institucionet. Çdo autor do të dalë para drejtësisë”, ka shkruar Vela në Twitter.

Marketing