Dy platformat lundurese që prodhojnë energji elektrike, të kontraktuara nga autoritetet shqiptare, mbërritën sot në gjirin e Vlorës. Ato i përkasin kompanisë amerikane Excelerate Energy, dhe janë marrë me qera për një periudhë dy vjeçare. Shfrytëzimi i tyre është pjesë e përpjekjeve për të siguruar burime shtesë energjie elektrike, në kushtet e një situate të vështirë kur çmimet e importit kanë kapur nivele rekord.

Marketing

Aktualisht Shqipëria bazohet thuajse totalisht në burimet hidrike, dhe dy platformat që gjenerojnë energji me naftë, parashikohet të prodhojnë 114 megawat/orë. Një sasi e cila konsiderohet e rëndësishme, për t’iu shtuar prodhimit vendas.

Çmimi për megawat/orë parashikohet të luhatet mes 170 dhe 200 euro, që për autoritetet vlerësohet si mjaft i leverdisshëm krahasuar me nivelet e larta të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Të dy platformat, pritet të lidhen brenda disa javëve me rrjetin shqiptar, për të transmetuar prodhimin.

Opozita, por dhe ambientalistë të ndryshëm, kanë ngritur shqetësimin për rrezikun e ndotjes, si të ajrit, për shkak të djegies së sasive të mëdha të naftës, por dhe të faunës dhe florës nënujore, duke qenë se ato përdorin ujin e detit për ftohjen e impianteve.

Kriza energjitike, detyroi një ditë më parë qeverinë shqiptare të merrte vendimin për të aplikuar dy çmime të ndryshme të energjisë, për përdoruesit familjarë, sipas sasisë së konsumuar. Çmimi do të mbetet 9.5 lekë për kilowat/orë, për ata që konsumojnë mbi 800 kilowat/orë në muaj. Për sasinë përtej kësaj kuote do të zbatohet një mim prej 42 lekësh.

Marketing