Drejtori për Evropë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Hans Kluge thotë se kontinenti së shpejti mund të hyjë në një “periudhë të gjatë qetësie” sa i përket pandemisë Covid-19, raporton BBC.

Marketing

Ai përmendi normat e larta të vaksinimit, fundin e dimrit dhe natyrën më pak të rëndë të variantit Omicron.

Para gazetarëve ai tha: “Kjo periudhë e mbrojtjes më të lartë duhet parë si një “armëpushim” që mund të na sjellë paqe të qëndrueshme.”

Dr Kluge u shpreh se rreth 12 milionë raste të reja të virusit u evidentuan në të gjithë Evropën javën e kaluar, shifra më e lartë e regjistruar, por zyrtarët nuk kanë parë një rritje të konsiderueshme në ata që kanë nevojë për kujdes kritik spitalor.

Danimarka u bë vendi i parë në Bashkimin Evropian që hoqi të gjitha rregullat, përfshirë mbajtjen e maskave, në fillim të kësaj jave. Ani se rastet janë ende të larta, autoritetet thonë se virusi nuk kualifikohet më si një “kërcënim kritik” me shkallë të lartë vaksinimi që ndihmon në mbrojtjen kundër sëmundjeve të rënda, pavarësisht përhapjes së shpejtë të Omicron.

Edhe Suedia njoftoi se do të heqë pothuajse të gjitha kufizimet e saj të brendshme më 9 shkurt.

“Pandemia nuk ka mbaruar, por ne po hyjmë në një fazë krejtësisht të re”, u tha gazetarëve kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson.

Ndërkohë, dr Kluge nga OBSH të enjten u kërkoi kombeve evropiane të vazhdojnë me fushatat e tyre të vaksinimit dhe mbikëqyrjen e shtameve, pavarësisht nga fjalimet e tij për një “armëpushim”.

Lehtësimi i kufizimeve në gjithë Evropën pason vendime të ngjashme në Angli dhe vende të tjera të Mbretërisë së Bashkuar. /albora.ch/

Marketing