Lindita Nikolla, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, zhvilloi vizitën e saj të parë në Gjermani. Në një intervistë për DW-nw ajo tha se Gjermania wshtw mike dhe partnere e rëndësishme e Shqipërisë

Marketing

“Pata një takim mbresëlënës me Presidenten e Bundestagut [Bärbel Bas], e cila rikonfirmoi edhe njëherë atë që është qëndrimi zyrtar i Gjermanisë mike dhe partnere e rëndësishme e Shqipërisë, mbështetjen që Gjermania ka për Shqipërinë, por jo vetëm, edhe për Maqedoninë e Veriut, për çeljen e negociatave dhe për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Ma përmendi disa herë faktin që si kancelari Scholz, ashtu edhe Presidentja e Bundestagut, janë të vendosur për të mbështetur dhe për të filluar një herë e më parë hapjen e Europës për vendet si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, me interes jo vetëm për këto dy vende, por edhe me një interes strategjik për vetë Europën”, ka thënë Nikolla.

Nikolla shtoi se kanë biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal, edhe për iniciativën e Ballkanit të Hapur dhe mesazhi ishte që duhet avancuar në bashkëpunimin rajonal, sepse përmes bashkëpunimit rajonal ka të mira që i mirëpresin të gjitha vendet që futen në këtë bashkëpunim.

“Por, sigurisht, duhen parë në një ombrellë të madhe siç është Procesi i Berlinit. Edhe Open Balkans mundëson krijimin e një tregu të përbashkët, krijimin e mundësive dhe zbatimit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian dhe iniciativa të tjera, si iniciativa e gjelbër, iniciativa digjitale etj., që janë në fokus edhe të Bashkimit Evropian”, tha ajo.

E pyetur se a është shqetësuese pse Serbia është një nga vendet e rajonit të cilët bëjnë një politikë ambivalente ndaj Rusisë, Nikolla tha se janë për bashkëpunim rajonal, por me shikim drejt Evropës.

“Ne jemi bashkëpunëtorë rajonal dhe jemi për bashkëpunimin rajonal, bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë, por patjetër me shikimin drejt Europës, drejt Bashkimit Evropian. Shqipëria është e vendosur dhe nuk ka plan tjetër, përveç një plani, që është plani A: integrimin në familjen e madhe evropiane”, tha ajo.

Foto: Deutsche Welle

Marketing