Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, edhe këtë të mërkurë po vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ish-presidentit Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Marketing

Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi ka filluar intervistimin e dëshmitarit të dytë të prokurorisë, por seanca po zhvillohet private.

Dëshmitari i dytë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), po paraqitet për të tretën ditë me radhë para trupit gjykues, pasi dëshmia e tij filloi të hënën dhe vazhdoi edhe të martën.

Gjatë ditës së martë, dëshmia është dëgjuar tërësisht e mbyllur për publikun, ndërsa të hënën një pjesë e intervistimit është bërë në seancë publike.

Para trupit gjykues në Hagë ai është prezantuar si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ka folur për aktivitetin e këtij subjekti në Malishevë, nga viti 1990.

Dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ishte kyçur në UÇK dhe se në të njëjtën kohë kishte ushtruar edhe aktivitetin e tij në LDK. Sipas tij, UÇK dhe LDK nuk kishin raporte shumë të mira.

Ai ka pretenduar se shtabi i UÇK-së në Malishevë bënte presion që LDK të pushonte aktivitetin e saj në atë pjesë.

Megjithatë, tutje dëshmitari ka deklaruar se një pjesë e madhe e UÇK-së i njihte institucionet e atëhershme të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën e LDK-së.

Pas më shumë se dy vjet në paraburgim, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Ata po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Marketing