Ardon Jashari është njëri nga dy lojtarët më të rinj në moshë që Kombëtarja e Zvicrës i thirri për ta përfaqësuar vendin në Kupën e Botës 2022, që nis pas dy javëve në Katar.

Marketing

Jashari ka mundur ta përfaqësonte Kosovën në futbollin botëror, por ai do të shkojë drejt Katarit tani.

Ai është në mesin e 26 futbollistëve, bashkë me Xherdan Shaqirin dhe Granit Xhakën, që trajneri Murak Yakin i ftoi të mërkurën në Kombëtaren helvetike për Botërorin e Katarit.

I lindur në Luzren nga prindër me prejardhje nga Kosova, Jashari ishte synim i Kosovës por si shumë të tjerë para tij edhe ai përfundoi te Zvicra.

Jashari është lojtari më i talentuar i Luzernit dhe thuhet të jetë nën vëzhgimin e klubeve të mëdha si Arsenal, Napoli dhe Ajax.

Drejtori i Kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti, kishte thënë për Nacionale në shtator se zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës ishin takuar me Jasharin për të bsieduar për mundësinë që ai ta përfaqësojë Kosovën.

Por asgjë nuk kishte ndodhur dhe Jashari e kishte marrë një thirrje nga Zvicra në shtator dhe debutoi në fitoren 2:1 kundër Republikës së Çekisë në Ligën e Kombeve.

Po, ne kemi biseduar me Ardon Jasharin. Nuk kanë qenë vetëm kontakte, por ka pasur edhe takim fizik mes tij dhe menaxherit tonë (Bajram Shalës). Sinjalet e para ishin mjaftë pozitive, por tani e pamë që ka pranuar ftesën e Zvicrës. Çfarë të bëjmë ne”, tha Sahiti.

Mesfushori 20-vjeçar e kishte përfaqësuar Zvicrën U21 dhe faktikisht e kishte pritur thirrjen nga Kombëtarja A Helvetike vazhdimisht, si të tjerët para tij.

Duke folur për gazetën zvicerane Blick në një intervistë në tetor, Jashari tha se Zvicra ishte zgjedhja e tij e zemrës dhe se ëndërronte të luante përkrah dyshes tjetër shqiptare, Xhaka e Shaqiri.

Për mua, kjo çështje është pranë zemrës. Për mua dhe familjen time është ëndërr e realizuar që jam me skuadrën e Zvicrës“, kishte thënë Jashari.

Marketing