Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri të vendit.

Marketing

Kjo, sipas Kurtit, po ndodh për shkak se Vuçiqi ka refuzuar planin franko-gjerman, dhe kështu po i përdorë, siç tha ai, pjesëtarët e strukturave ilegale në veri, për ta destabilizuar.

“…refuzimin që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit, dhe për këtë po i përdorin ata që ende vazhdojnë t’i dëgjojnë, pra pjesëtarë të strukturave ilegale. Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje”, tha Kurti.

“Beogradi e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe tash po bën drama për ta maskuar refuzimin”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Kështu deklaroi Kurti në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Për planin franko-gjerman nuk ka shumë informacione.

Në tetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Franca dhe Gjermania kanë propozuar që Serbia të lejojë që Kosova të anëtarësohet në organizata dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një anëtarësimi të shpejtë të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se propozimi franko-gjerman parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza, “ku një pjesë e madhe e kontesteve do të zgjidheshin tani, kurse një pjesë shumë e vogël që ata thonë se është 1 për qind, do të liheshin për një periudhë të mëvonshme”.

Gjatë konferencës Kurti tha se Vuçiqi po koordinohet me Rusinë dhe Kinën, dhe po zhgënjen Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Pas mbledhjes së Qeverisë së Serbisë, të shtunën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pati takime të ndara me ambasadorin rus dhe atë kinez në Beograd. Pra, presidenti i Serbisë takohet dhe koordinohet me Rusinë dhe Kinën dhe gënjen e zhgënjen BE-në dhe SHBA-në”, tha ai.

Kurti u bëri thirrje serbëve në veri të vendit që të mos japin dorëheqje, ngase siç tha ai, “bojkotet nuk janë zgjidhje, institucionet nuk janë alternativë”.

Zyrtarët serbë në veri të Kosovës më 7 nëntor kanë vazhduar të paraqesin dorëheqjet e tyre në institucionet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa serbe.

Dhjetë deputetët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kanë dorëzuar të hënën dorëheqjet e tyre në Kuvendin e Kosovës

Edhe gjyqtarët serbë dhe punëtorët administrativë në Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje. Në gjykatën në këtë qytet ishin gjithsej 19 gjyqtarë serbë.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Për dallim nga Kosova, Serbia e ka mbështetur vendimin e Listës Serbe.

Marketing