Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë qëndrimit të tij në Athinë, në kuadër të punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, është pritur në një takim dypalësh nga kryetari i Parlamentit të Republikës Helene, Konstantin Tassoulas, ndërkaq kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar.

Marketing

Konjufca e ka falënderuar Tassoulas për përkrahjen që vendi i tij i ka dhënë Kosovës gjatë gjithë etapave shtetndërtuese, si dhe i ka kërkuar thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve.

Në njoftim thuhet se kryetari i Parlamentit grek, Tassoulas, ka falënderuar Konjufcën për diskutimet konstruktive të delegacionit nga Kosova dhe e ka siguruar se vendi i tij do të vazhdojë qasjen konstruktive ndaj Kosovës.

Dy kryeparlamentarët kanë diskutuar gjithashtu lidhur me zhvillimet globale dhe janë dakorduar se përpjekjet për ruajtjen e paqes duhet të intensifikohen.

Kryeparlamentari grek mbrëmë ka shtruar darkë për homologët e tij, pjesëmarrës në punimet e Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, që po mbahen në Greqi.

Marketing