Futbollisti kosovar, Arijon Ibrahimoviq, të premten mund të realizojë një ëndërr të madhe.
Ai mund të debutojë me fanellën e ekipit të parë të Bayern Muenchenit, raportojnë mediume të ndryshme në Gjermani.
Talenti 16-vjeçar është larguar nga kampi përgatitor me U17 të Gjermanisë në Spanjë për t’u kthyer në Gjermani. Futbollisti ofensiv është ftuar nga trajneri Julian Nagelsmann për ndeshjen që Bayerni do ta luajë të premten kundër Borussia Moenchengladbachut pas rasteve të shumta me koronavirus në klubin gjerman. Kjo ndeshje është edhe e para e stinorit pranveror në Bundesligë.
Alphonso Davis është lojtari i nëntë që doli pozitiv në testin për koronavirus gjatë kësaj jave. Kjo ndeshje pritet të zhvillohet, ndonëse Bayerni po përballet me numër të madh mungesash të lojtarëve. Dhe, si zgjidhje emergjente, trajneri i Bayernit, Nagelsmann, e ka ftuar 16-vjeçarin të jetë pjesë e ekipit të parë. Madje, raportohet se Ibrahimoviq mund ta fitojë edhe rastin të debutojë me ekipin e parë.
“Sipas rregullave të federatës gjermane, Ibrahimoviq dhe Wanner mund të luajnë në ndeshjen kundër Gladbachut të premten. Bayerni tashmë i ka regjistruar lojtarët. Prandaj, një debutim është i mundur, me kusht që ndeshja të mos shtyhet. Nëse ndodh, lëvizja e jashtëzakonshme e Bayernit rezulton e dështuar”, shkruan “sport1.de”.
Ibrahimoviq mundësinë për t’u stërvitur me ekipin e parë të Bayernit e kishte edhe vitin e kaluar, pra kur ishte 15-vjeçar. Por, tani ka gjasa që ai të bëjë edhe debutimin, që do të ishte diçka e jashtëzakonshme për futbollistin e talentuar. Ai u lind në qytetin e Nuernbergut nga prindërit kosovarë në vitin 2005. Ibrahimoviq nuk ka asnjë lidhje me yllin suedez, sulmuesin Zlatan Ibrahimoviq.
Hapat e parë si futbollist i ka marrë te Greuther Furthi. Në vitin 2014, në moshën nëntëvjeçare, Ibrahimoviq u transferua në klubin e qytetit të lindjes, Nuernberg, për të vazhduar zhvillimin e tij tek të rinjtë. /albora.ch/