“Ajo” është personifikimi që më së shumti përdoret në Kosovë. Kështu, burrat i drejtohen grave të tyre, të dashurave. Ajo mund të jetë gjithçka, por në shumë raste mund të mos jetë asgjë.

Marketing

 Ajo të vetëm të drejtë që mund ta ketë është heshtja, pasi ajo nuk ka të drejtë të flas, nuk ka të drejtë të zgjedh, nuk ka të drejtë të trashëgojë pronën që i takon, bile ajo në shumë raste nuk ka të drejtë as mbi fëmijën përkundër që e mban për 9 muaj në mitrën e saj, as kur qëndron net e net pagjumë për t`iu kujdesur për fëmijët e saj.

Ajo mund të keqtrajtohet nga prindi, vëllai, nga burri, e djali, ka raste kur i vjen “reni” vjehrrit e kunetërve që të ushtrojnë dhunë mbi të.  

Të gjithë kanë të drejta përveç asaj.

Ka raste e raste që nuk raportohen në organet, por nuk janë të pakta as ato që raportohen.

Mërgimtarja nga Zvicra dhunohet në Prizren

Në mesnatën e 31 korrikut një 25 vjeçare e ardhur nga Zvicra, është rrahur dhe është abuzuar seksualisht për rreth 3 orë nga i dyshuari Gj.K..

Siç mëson Albora.ch rasti ka ndodhur afër një sallonit të dasmave në lagjen Dardania në Prizren. 32-vjeçar është arrestuar nga Polica në vendin e ngjarjes, ndërkaq viktima është dërguar në spitalin e Prizrenit.

Ndryshe, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, në dyshimet për veprën penale “dhunim”.

Vrasja e Marigona Osmanit

Marigona Osmani është rasti më i freskët i dhunës në familje. Ajo është torturuar me ditë të tëra nga “burri” i saj. 18 vjeçarja është rrahur e dhunuar nga Dardan Krivaqa. Bashkë më Krivaqen, edhe shoku i tij Arbër Sejdiu, po akuzohen për vrasje të rëndë dhe dhunim.

“…në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Përveç, këtij rasti kem raste kur edhe nënat janë viktima të bijve të tyre.

Djali therr nënën me thikë

Siç, është rasti i fundit i raportuar në Policinë e Kosovës, ku djali ka therur nënën me thikë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Besim Shala” në Prizren. 49-vjeçare nga lëndimet trupore ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Kurse i dyshuari, Me vendim të prokurorit, ndaj 19-vjeçarit është iniciuar rasti për veprat “Dhunë në familje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”.

Gruaja rrah burrin

Në Kosovë, ka raste edhe kur gratë janë ushtrues të dhunës në familje.

Siç është rasti i ndodhur në fshatin Astrazub i Malishevës, ku gruaja u raportua nga bashkëshorti i saj, se ka ushtruar dhunë në të. Ndaj të dyshuarës Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj saj të nisin hetimet për veprën penale “dhunë në familje”.

Lidhur më rastet e dhunës në familje “Albora.ch” ka kontaktuar më Policinë e Kosovës. Në përgjigjen me shkrim thuhet se Policia e Kosovës ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje.

 “Policia e Kosovës që nga themelimi i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente. Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje  është si parandalimi për dhunën në njërën anë dhe si dhe  trajtimi i rasteve më seriozitet , ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Policia e Kosovës ndalon 4 shtetas rusë në veri të vendit - Euronews Albania
Policia e Kosovës

Po ashtu, nga Policia kanë treguar se çfarë kanë bërë për t`i parandaluar këtë raste.

“Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e  dhunës në familje. Policia ka përdorur forma të ndryshme për të arritur këtë qëllim, si: fushatat, shpërndarja e fletë-palosjeve më porosi konkrete, ligjërata në shkolla etj. Natyrisht se bashkëpunimi me media dhe përdorimi i rrjeteve sociale na ka ndihmuar që porosia jonë të përhapet dhe të shkojë te sa më shumë persona, e ky është qëllim primar, sepse pas vetëdijesimit, vije deri te shtimi i njoftimeve për raste të tilla”, kanë thënë nga Policia për Albora.ch.

Gjithashtu, Policia kanë treguar për Albora.ch se cilat janë statistikat që posedojnë për dhunën në familje për rastet e raportuara në Policinë e Kosovës dhe numrin e viktimave:

Janar-Maj   2022

Total Raste

1107

Total Viktima

1132

Sociologia Dhurata Prokshi, në një prononcim për Albora.ch ka thënë se shifrat po dëshmojnë se problematika e rasteve të dhunës në familje është në rritje.

“Problematika e rasteve të dhunës në familje është në rritje dhe këtë gjë e dëshmojnë shifrat e raportimit të saj. Pa dyshim që dhuna në familje vazhdon në masë të konsiderueshme me u trajtu si arsye për etiketim shoqërore të familjes dhe kjo mund të jete arsye për çfarë mund të supozojmë se ka dhune të familjes dhe ne familje me shume se që raportohet tek organet kompetente”, ka thënë ajo.

May be an image of 1 person
Sociologia Dhurata Prokshi

Prokshi i ka numëruar disa arsyeje se pse këto raste e dhunës në familje nuk raportohen.

“Rreziku që kryerësit te ballafaqohen me ligjin dhe të dënohen për këto vepra, janë arsye që mund të parandalojnë anëtarët e familjeve për raportim me shpresën që problemet, shkaqet e dhunës mund të trajtohen dhe zgjidhen brenda familjes pa ndërhyrje të jashtme(nga organet e rendit). Njëheritë rreziku që viktimat të humbin strehimin, pamundësinë e sigurimit të kushteve elementare të jetës si dhe kontaktit me një pjese të anëtarëve të familjes që nuk janë të përfshirë drejtpërdrejtë në konflikt por vuajnë pasojat e tij ndihmon si rrethane hezitimin për raportim. Veçanërisht kur konflikti apo dhuna ndodhe në mes të bashkëshortëve ku ka fëmijë në mes, bashkëshortja është e vetëdijshme rrezikut të zbehjes se komunikimit me fëmijë apo humbjes se kujdestarisë nëse nuk ka vendbanim të sigurtë për veten dhe fëmijët”, ka thënë sociologia.

Po ashtu, Prokshi  ka dhënë disa nga shkaqet të cilat mund të çojnë deri te dhuna në familje.

“Arsyet e dhunës në familje janë të ndryshme dhe të shumta, ndoshta do të ishte mire të fillojmë të theksojmë atë baziken mungesa e respektit dhe komunikimit të shëndoshë në familje, autoritetit dhe ndikimi si shkak i të qenurit mbajtës-furnizues i familjes.

Gjë që mund të pretendohet se kryerësit të dhunës i jep të drejte me të madhe që të kontrolloj dhe udhëheq me familjen por edhe me atë se çfarë kanë obligim anëtarët e familjes.

Ky mund të mos jete rasti, raste të shpeshta mund të ndodhin kur anëtarët brenda familjes janë të pavarur financiarisht, por nuk kanë gjuhë të përbashkët dhe nuk ndajnë këndvështrime të njëjta se si të menaxhohet me bashkësinë familjare.

Psh. Mund të ekzistoj mos pajtim për mënyrën e shpenzimeve të mjeteve financiare, njëra prej situatave mund të ndodhë kur njeri nga anëtarët e familjës ka shprehi të konsumimit të duhanit, alkoolit, vese që mund ta ndryshojnë edhe gjendjen e tij emocionale dhe psikike dhe të vijë më shpejtë te tensionet në familje. E që këto vese të anëtarit të familjes se caktuar mund të jenë të natyrave më të rënda siç është konsumimi i substancave narkotike, etj”, ka deklaruar sociologia Prokshi.

Edhe, psikologia klinike, Msc. Kosovare Gjevukaj Tolaj pajtohet me parafolësen e saj rreth rasteve të dhunës në familje. Ajo deklaron se ka shifra shumë të larta të dhunës në familje.

“Fatkeqësisht, dhuna në familja ka shifra shumë të larta dhe duket se sa vjen e bëhet më e rëndë të perceptohet nga disa shtresa se është tmerrësisht e gabuar”, ka thënë ajo.

Po ashtu, Gjevukaj Tolaj ka cekur se dhuna mund të vijë si pasojë e mentalitetit shoqëror.

“Mentaliteti dhe perceptimi i thurur që nga fëmijëria ndarja se “ti je vajzë e ai është djalë” vjen me këto rezultate fatkeqe ndonjëherë dhe viktima krejtësisht të pafajshme.

Ndarja se “ti je djalë dhe ke drejtë të bësh çdo gjë, ti je vajzë heshtë se nuk të mban njëri” vjen me këto raste që fatkeqësisht janë turpi më i madh i shoqërisë sonë”, ka theksuar ajo.

Msc. Kosovare Gjevukaj Tolaj

Më tej, psikologia  ka shtuar se një shkaktarë tjetër i dhunës në familje është edhe faktori ekonomik.

“Faktori ekonomik është një tjetër shkaktarë i dhunës në familje, faktori ekonomik është ai qe ndikon ne gjendjen shpirtërore  dhe në atë psikike ,pastaj ka dhe faktorë të tjerë siç është xhelozia, arroganca, injoranca e kështu me radhë.

Një, edukim, arsimim dhe vetëdijesimi i shoqërisë sonë do të evidentonte dhe të mos lejonte që këto lloje dhunës, të cilës do formë të mos ndodhnin”, ka shpjeguar ajo.

Në fund, Gjevukaj Tolaj ka dhënë një mesazh për shoqërinë, veçanërisht për viktimat e dhunës dhe familjet e tyre.

“Me një fjalë çdo vajzë nuk duhet të jetë e detyruar të jeton aty ku dhuna reflekton ,familjet e tyre duhet të jenë përkrahëse të saj dhe të jenë pjesë që ajo të merr vendime të drejta ,në fund të ditës lumturia e fëmijës është më e rëndësishme se një mentalitet i prapambetur dhe fjalë komplet boshe”, ka përfunduar psikologia klinike Gjevukaj Tolaj për Albora.ch.

Marketing