Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë dështuan sërish të premten të arrijnë një marrëveshje për përdorimin e targave të makinave, gjatë bisedimeve të mbajtura në Bruksel.

Marketing

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha se rezultatet janë të përziera. “Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por kemi bërë përparim në fusha tjera duke përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, shkroi ai në rrjetin Twitter pas takimit të sotëm.

Që nga fillimi i tetorit të vitit të kaluar palët zbatojnë një marrëveshje të përkohshme sipas së cilës targave të makinave u vendosën fletë ngjitëse aty ku shihen simbolet shtetërore të të dyja palëve. Marrëveshja e përkohshme u arrit më 30 shtator pas disa ditësh trazirash në veriun e Kosovës ku grupe serbësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit për përdorimin e targave.

Nga përparimet në bisedimet e sotme të delegacioneve që u udhëhoqën nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, varej nëse do të ketë një takim të nivelit më të lartë politik ndërmjet palëve.

Marketing