Aventura e shqiptaro-zviceranit, Xherdan Shaqiri, nuk po shkon siç pritej në Ligue 1 te Lyon-i. Ai e ka humbur totalisht shkëlqimin dhe largimi duket shumë pranë.

Marketing

Gati dy javë më parë, “L’Equipe” raportoi se Lyon-i dëshiron ta shesë Shaqirin. Kjo, natyrisht, shpjegohet me performancën e dobët të lojtarit.

Në Zvicër tashmë kanë filluar shqetësimet e para.

30-vjeçari, i cili mban shiritin e kapitenit në Kombëtare, është një pikë e fortë për ta. Ai është shumë i nevojshëm për helvetët, sidomos kur Kupa e Botës është vetëm disa muaj larg nisjes.

Gazeta e përditshme zvicerane, “Blick” ka parashtruar dhe u është përgjigjur shtatë pyetjeve në lidhje me situatën e Shaqirit.

Si është situata aktuale e Shaqirit?

Ende nuk ka aspekte pozitive. Në barazimin 1-1 kundër PSG-së, ai ishte jashtë për 90 minuta. Herën e shtatë, në dhjetë ndeshjet e fundit.

Ku qëndron ai në hierarkinë e lojtarëve sulmues të Lyon-it?

Pas sulmuesit kryesor, Moussa Dembele-s, Lyon luan me dy lojtarë të tjerë mbështetës.

Në fakt, një skemë e mirë për Shaqirin.

Dy lojtarët e parë në hierarki janë braziliani Lucas Paqueta dhe francezi Houssem Aouar-i.

Si zëvendësues i parë i tyre është Rayan Cherki, talenti 18-vjeçar i rritur në akademinë e klubit. Ndërsa, Shaqiri për momentin është zgjidhja e katërt.

A ka gabuar Lyon-i me vendosjen e tij në fushë?

Shaqiri u zgjodh për të mbuluar krahun e djathtë të mesfushës. Një rol që ka luajtur herë pas here, por, në parim që nga Kupa e Botës 2014, ai është aktivizuar më shumë në krahun e majtë. Rol në të cilin ka bërë performanca më të mira.

Në 13 paraqitje, ka një gol dhe dy asiste.

“L’Equipe” e ka përzgjedhur atë në formacionin e dështimeve të vitit, së bashku me poriterin e Monaco-s, Alexander Nubel-in, të huazuar nga Bayern Munich-u.

A ka gjasa që ai të largohet këtë merkato?

Problemi është se Shaqiri është lojtar i shtrenjtë. Kjo jo për vlerën e tregut, por atë të pagës. Kartoni i tij vlerësohet 8 milionë euro, sipas “Transfermarkt”-it, ndërsa fiton 350 mijë euro në muaj, me një kontratë që zgjat deri në verën e 2024-s.

Paga bën shumë klube që të mos ndërmarrin hapin për nënshkrimin e Shaqirit. Sidomos në kohën kur coronavirus-i ka goditur ekonomikisht futbollin.

Mënyra e vetme që ai të largohet këtë merkato është në formën e huazimit, deri në fund të sezonit. Në të kundërt ose do të qëndrojë, ose do të kalojë në Turqi, Rusi ose Kinë.

A mund të ketë një rikthim te Basel-i?

Mundësia për këtë është shumë e vogël. Ka dy çështje në këtë mes. Nga njëra anë, paga e lartë e tij dhe, nga ana tjetër, Basel-i është fokusuar te lojtarët e rinj.

Por, nëse Shaqiri do të dëshironte kthimin te Basel-i, atëherë do të duhet të hiqte dorë prej një pjese të madhe të pagës së tij.

Kur merret një vendim përfundimtar?

Merkato e transferimeve në ligat kryesore (Angli, Itali, Spanjë, Gjermani dhe Francë) mbyllet më 31 janar.

Nëse transferohet në këto pesë liga, do të duhet ta bëjë para 31 janarit. Nëse kërkon të kthehet në Zvicër, do të ketë mundësi deri më 15 shkurt.

A është situata e tij dramatike për kombëtaren?

Ende jo. Ka disa ndeshje përpara, ku ai mund të provohet. Dhe këtu jo vetëm ato me Lyon-in, por dhe me Kombëtaren.

Në mars, kombëtaret do të luajnë ndeshje miqësore. Në qershor do të nisë Liga e Kombeve, ku Zvicra përballet me Republikën Çeke (dy herë), Spanjën dhe Portugalinë.

Kupa e Botës do të nisë në nëntor dhe deri atëherë ka kohë të mjaftueshme. Por, pas vështirësive te Liverpool-i dhe tani edhe te Lyon-i, duket e vështirë që Shaqiri të futet në ritmin e ndeshjeve. /albora.ch/

Marketing