Diaspora shqiptare është shtylla kryesore e funksionimit shtetëror të Kosovës. Që pas përfundimit të luftës së fundit në Kosovë, është dëshmuar se rimëkëmbja e vendit u bë në krahët e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në perëndim.
Janë mbi 10 miliardë euro, që besohet se solli diaspora shqiptare që nga paslufta e deri më tani në vendlindje. Sidoqoftë, përqëndrimi i diasporës për të ndihmuar vendlindjen, për gjeneratat e para ishte shumë e rëndë dhe rezultatët për sukses ishin shumë të vogla, raporton albora.ch.
Në një intervistë ekskluzive për albora.ch, Osman Osmani, ish-sekretar nacional për migracion në sindikatën “Unia” dhe kryetar i platformës prointegra.ch në Zvicër, ka detaizuar historikun e diasporës shqiptare atje.
Osmani thotë, se një nga problemet kryesore të diasporës sonë dhe një njollë e marrëdhënieve Zvicër – Kosovë ishte: “anulimi i Marrëveshjes ndërshtetërore për sigurimet shoqërore Zvicër -Kosovë, ku punëtorët tanë mërgimtar që kanë punua në Zvicër dhe familjarët e tyre janë diskriminuar e dëmtuar shumë me dhjetëra mijëra bashkëkombës tanë jo vetëm ekonomikisht.” Si problematik ai gjithashtu e sheh edhe Ligjin aktual të Zvicrës për të huaj dhe për integrim.
Në intervistën më poshtë do të keni mundësi të kuptoni se: Sa i përfshin Zvicra shqiptarët e Kosovës në punët e saj rëndësishme, a luajnë rol të rëndësishëm shqiptarët atje? Mes tjerash, do të arrini të kuptoni se si Qeveria dhe institucionet e Kosovës po bllokojnë komunikimin me diasporën.
Intervista e plotë:
Albora.ch/ Cili është suksesi i diasporës në Zvicër?
Osman Osmani: Gjenerata e parë e diasporës me punën e rëndë e të mundimshme larg familjes e vendlindjes…kanë siguruar ekzistencën për familjen e farefisin, kanë mundësuar arsimimin e në rast nevoje edhe shërimin dhe financimin e ndërmarrësisë, kanë bashkëfinancuar e ndërtuar infrastrukturën ne vendlindje…
Bashkë me gjeneratën e të përndjekurve politik kanë informuar, sensibilizuar opinionin zviceran e atë ndërkombëtar mbi pozitën e represionin ndër dekada e shekuj dhe kërkesat e popullit shqiptar për liri, barazi, republikë, demokraci, pavarësi e vetëvendosje. Njëherazi janë solidarizuar në të gjitha mënyrat mundshme edhe me përpjekjet e betejat e popullit tonë (mbështetjen e pluralizmit politik dhe mbajtjen e sistemit paralel në Kosovë) e deri edhe me financimin, logjistikën e po ashtu edhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në luftën çlirimtare.
Gjenerata e dytë dhe e tretë kanë shënuar rezultate e suksese individuale në të gjitha fushat e mundshme jetësor e shoqërore. Aktualisht kemi me mijëra profesioniste të fushave të ndryshme shoqërore e shkencore si dhe bartës të mandateve e posteve pilitike e shoqërore në legjislativ dhe në ekzekutivin lokal, regjional në rritje me perspektiv për mandate, posteve e funksioneve edhe ne nivel nacional të Zvicrës dhe vendeve tjera ku jeton e punon diaspora jonë. Ata si persona trans-nacional paraqesin një pasuri të madhe e cila ende nuk është duke u përfshi dhe menaxhuar si do të duhej.
Albora.ch/ Cilat janë problemet më të shpeshta që përballët diaspora në Zvicër?
Osman Osmani: Diaspora jonë në periudha të ndryshme është përballuar me probleme të shumta dhe të shpeshta. Me kohë diaspora jonë ka arritur t’i sfidojë ato probleme e dukuri që e kanë stigmatizuar deri edhe diskriminuar e kriminalizuar atë dhe pjesëtarët e saj. Përjashto këtu dështimin ende evident për të mbrojtur mjaftueshëm edhe luftën politike edhe atë të armatosur për liri e demokraci. Si shembull i mungesës dhe dështimit të mbështetjes institucionale shtetërore është anulimi i Marrëveshjes ndërshtetërore për sigurimet shoqërore Zvicër -Kosovë, ku punëtorët tanë mërgimtar që kanë punua në Zvicër dhe familjarët e tyre janë diskriminuar e dëmtuar shumë me dhjetëra mijëra bashkëkombës tanë jo vetëm ekonomikisht. Marrëveshja është arritur fale angazhimit tonë dhe partnerëve tanë gjithandej, ndërsa shteti jo që na ka përfshi mjaftueshëm, por në situata të rëndësishme na ka anashkaluar e injoruar. Pikërisht për arsye të mos përfshirjes dhe mos marrjes parasysh të rekomandimeve tona edhe ka munguar pagesa retroaktive e pensioneve që u kanë takuar njerëzve tanë dhe përfitimet tjera për familjarët e shkollarët e tyre.
Mungesa e evidentimit, përfshirjes, përfaqësimit e mbrojtës institucionale (shtetërore) edhe përmes marrëveshjeve adekuate bilaterale e multilaterale. Si shembull konkret: Institucionet ende nuk posedojnë numrin e saktë të pjesëtarëve të diasporës sonë e as të rrjeteve të shoqatave e të profesionistëve të fushave të ndryshme…
Mungesa e ushtrimit të drejtave elementare njerëzore dhe mbrojtja e tyre.
Mungesa e parakushteve ligjore dhe strukturave adekuate për përfshirje dhe përfaqësim edhe si diasporë por edhe në politik-bërje komunale e kombëtare.
Mosfunksionimi i dëshirueshëm i jetës institucionale, shoqërore e shtetërore në vendet amë dhe nevoja që edhe më tej diaspora jonë të merr përsipër detyra e funksione, që do të duhej të kryenin përfaqësuesit e institucioneve e strukturave shtetërore si vendore (institucionet e Republikë së Kosovës, pse jo edhe ajo e Shqipërisë) dhe ato që kanë mandat ndërkombëtar (si Eulex-i, institucionet tjera të BE-se dhe OKB-së), pastaj edhe ato të vendeve rezidente – që në ndërkohë janë barë edhe atdhe i gjeneratës se dyte e trete – si Zvicra e shtetet tjera ku ajo ka si qendër të jetesës… Nëse fjala bie edhe pjesëtarët e organeve e institucioneve që kujdesen e janë përgjegjës për rendin e sigurinë e qytetarëve dhe të vendit si dhe luftimin e kriminalitetit ekonomik e mjedisor (pjesëtarët e policisë e ushtrisë), nuk kanë ende as sigurim bazik shëndetësor, e lë me sigurime shoqërore a jetësore publike e shtetërore, si munden ata të kryejnë detyrat e tyre, kur janë të vetëdijshëm, se nëse humbin jetën në krye të detyrës, siç ka ndodhur jo rrallë deri më tani, familjet e tyre – në mungesë të përkujdesjes shoqërore e shtetërore – mbesin në mëshirën e fatit dhe të vullnetit të mirë të familjarëve tjerë dhe ish kolegëve…
Albora.ch/ Sa e ka ndihmën diaspora shqiptare nga Qeveria e Kosovës?
Osman Osmani/ Deri me tani, përfshi edhe atë aktuale, nuk dihet se qeveritë e Kosovës kanë ndihmuar diasporën, ndërsa e kundërta dihet (shih edhe përgjigjet në pyetjen e parë) dhe kjo mund edhe të argumentohet në çdo kohë e me shumë shembuj edhe tjerë.
Nëse institucionet vendore në krye me qeverinë kryejnë detyrat e tyre në raport me shtetasit në Kosovë (apo edhe me shtetasit ne Shqipëri), kjo do të paraqiste ndihmesën më të madhe për diasporën shqiptare. Pasi kështu, ajo do të lirohej nga përgjegjësia e detyrimi për të zëvendësuar edhe më tej institucionet (entet) sociale e shtetërore edhe nevojën e dhënies së injeksioneve të pandërprera financiare e ekonomike për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë…
Funksionimi i mirëfilltë i legjislativit e ekzekutivit në Kosovë e Shqipëri bashkë edhe me institucionet përkatëse të të gjitha niveleve, do të paraqiste ndihmesën më të madhe edhe për diasporës tonë, jo së fundi edhe për të perceptuar e kryer detyra tjera në përputhje me rrethanat dhe trendin zhvillimor…
Përfshirja me kohë e diasporës për përpilimin dhe zbatimin e politikave që kanë të bëjnë me diasporën
Lidhja e marrëveshjeve përkatëse ndërshtetërore me vendet ku jeton diaspora jonë, duke konsultuar me ketë rast edhe njohësit profesional nga radha e pjesëtarëve të diasporës. Këtu duhet përmendur ligjin aktual për të huajt dhe për integrim në Zvicër, i cili është mjaft diskriminues veçanërisht për pjesëtarët e diasporës sonë pa pasaportë të Zvicrës apo të shteteve të BE-së, të cilët si shtetas të të ashtuquajturave shtete të treta, për shkelje të vogla, edhe nëse tërë jetën e tyre kanë punuar në Zvicër, rrezikojnë të humbin lejen e qëndrimit dhe të dëbohen për në vendin amë. Ndërsa dihet që qeveria e Republikës së Kosovës pa marrë parasysh interesat dhe vullnetin e diasporës se saj ka nënshkruar marrëveshje për riatdhesim, që shkelin edhe të drejtat elementare njerëzore dhe që në të vërtetë është edhe në kundërshtim me kushtetuat e vendeve tona.
Albora.ch/ Sa i integron Zvicra shqiptarët e Kosovës në punët e saj rëndësishme, a luajnë rol të rëndësishëm shqiptarët atje?
Roli dhe kontributi i pjesëtarëve të diasporës sonë në të gjitha fushat jetësore, ekonomike e shoqërore, si të Zvicrës e vende tjera e po ashtu edhe në vendet amë, është i jashtëzakonshëm dhe po pasqyrohet prore gjithandej posaçërisht në mediat e vendeve ku ajo jeton.
Periudha e integrimit të shqiptarëve të Kosovës dhe vende tjera te banuara me shqiptare në Zvicër për shumicën dërmuese të tyre ka kohë që është përmbyllur jo vetëm suksesshëm, por në ndërkohë shumica e tyre (afër 200’000 me prejardhje shqiptare vetëm në Zvicër) janë edhe shtetas trans-nacional.
Tani është koha e përfshirjes adekuate të diasporës ne politikat ndërshtetërore dhe atë të në të gjitha fazat e zhvillim-bashkëpunimit me synim përafrimin shoqëror, duke u orientuar në të arriturat e shoqërisë njerëzore gjithandej.
Albora.ch/ Çfarë po bëni për fuqizim të diasporës në Zvicër?
Osman Osmani/ Ne – pjesëtarë (burra e gra) kryesisht të grumbulluar në platformën prointegra.ch dhe ”Zëri progresiv në bashkëpunim me partnerë tanë në Zvicër dhe vendet amë – po përpiqemi që të obligojmë institucionet e vendeve përkatëse: atyre të vendit të prejardhjes dhe atyre ku diaspora jonë e ka qendër të jetesës që në mënyrë të strukturuar të trajtojnë e përfshijnë diasporën si subjekt e jo edhe me tej si objekt.
Qe diaspora dhe mundësitë e potenciali i saj mos të shihen e reduktohet vetëm në dërgesat financiare dhe si numra elektoralë.
Të krijohet një zëdhënës qendror shoqëror për diasporën që i eliminon qasjen private, grupore e partiake, që ndjekin synime krejtësisht tjera, e jo atë të gjithëpërfshirës e përbashkësisë.
Ne angazhohemi që të jemi partner të denjë të institucioneve shoqërore e shtetërore për të ushtruar obligimet dhe të drejtat tona njerëzore e shoqërore, e jo të trajtohemi e shfrytëzohemi për interesa parciale.
Për ne, ndër prioritetet kryesore janë edhe fuqizimi i sindikatave dhe ndërtimi i një sistemi sa më të drejtë të sigurisë shoqërore e jetësore në vendet amë.
Albora.ch/ Si e vlerësoni punën e Qeverisë Kurti karshi diasporës duke parë që kryeministri ka pasur një mbështetje të jashtëzakonshme nga ta?
Osman Osmani/ Ne, apo me mirë me thënë, një pjesë e veprimtarëve profesionistë të ndryshëm, ndër të cilët edhe veprimtarë (burra e gra) politikë e sindikalistë bashkë me partnerët tanë në Zvicër, duke përfshi edhe përfaqësuesit institucional të të dyja vendeve kemi mbajtur një konferencë (ku kanë qenë të ftuar edhe përfaqësues të subjekteve të ndryshëm të vendit amë) dhe si përfundim kemi aprovuar edhe një rezolutë ku kemi adresuar pritjet dhe kërkesat tona edhe për përfshirje institucionale. Konferencë kjo e organizuar me 18 qershor 2021 nga migrantët socialdemokrat (PS_Migrant*et) & Partia Socialdemokrate e Zvicrës, ku morën pjesë rreth 60 pjesëmarrës nga Zvicra, Kosova dhe vende tjera të Ballkanit perëndimor. Për më shumë shih edhe: https://prointegra.ch/diaspora-me-pritshmeri-konkrete-karshi-zvicres-dhe-kosoves/ , apo https://ëëë.sp-ps.ch/de/kosova-ne-levizje-kontributi-i-diaspores
Ne sa i përket kësaj rezolute kemi bërë punë të madhe, por ende nuk dimë se çka është duke u zbatuar dhe çka jo, apo cilat pika janë duke u ndjekur Qeveria dhe Institucionet tona, sidomos për shkak të mungesës së komunikimit të drejtpërdrejtë dhe transparencës së nevojshme.
Lexo edhe: