Talenti i portierit të Kosovës, Arijanet Muriq, asnjëherë nuk është vënë në dyshim. Por atij i është dashur ta konfirmojë këtë më punë për ta shfaqur formën e mirë. Muriq 23-vjeçar, sivjet ka zhvilluar 17 ndeshje në Superligën e Turqisë me skuadrën e Adana Demirsporit.
Megjithatë, fillimi i portierit shtatlartë të Kosovës në elitën e futbollit të Turqisë prejse u huazua në verën e vitit të kaluar nga Manchester City, nuk ishte më i miri. Luajti si titullar në katër ndeshjet e para, për të qenë rezervist në gjashtë ndeshjet pasuese.
Mirëpo, prej 1 nëntorit të vitit të kaluar, Aro ka qenë i padiskutueshëm në portën e skuadrës turke që udhëhiqet nga trajneri italian Vincenzo Montella. Paraqitjet e tij janë vlerësuar lart si nga skuadra ashtu edhe nga portalet sportive që merren me statistika të lojtarëve. Të mërkurën, portali “Goal.com” ka bërë një listë të portierëve me statistikat më të mira në futbollin evropian.
Dhe Aro, në këtë statistikë pozicionohet në vendin e tretë. Me pritjet të cilat i ka bërë gjatë gjithë këtyre xhirove, Aro ka lënë prapa portierë të klasës botërore, si David de Gea, Thibaut Courtois, Stole Dimitrievsky, Mike Maignan, David Ospina, Edouard Mendy, Aaron Ramsdale, Samir Handanoviq e Unai Simon.
“Duke e mbrojtur portën e Adana Demirsporit, Arijanet Muriq ka arritur që të marrë vëmendje me paraqitjet e tij këtë sezon. Duke luajtur në 17 ndeshje të Superligës së Turqisë, ai ka pasur mesatare prej 79.76 për qind të pritjeve dhe zë vendin e tretë. Ai është në mesin e lojtarëve më të rëndësishëm për trajnerin Vincenzo Montella”, shkruhet në arsyetimin e portalit të madh sportiv.
Para Aros në listën e këtyre statistikave janë vetëm dy portierë.
Ai i Trabzonsporit, Ugurcan Cakir dhe Ibrahim Sehiq i Konyasporit. Muriq ka ndërruar disa skuadra në karrierë. Është zhvilluar si portier në sistemin zviceran. Në Zvicër ka luajtur për skuadrat e të rinjve të Juventusit, Zuerichut e Grasshopperit, përpara se ta bëjë hapin e radhës në Angli, te skuadra e Manchester Cityt. Te kampioni në fuqi i Anglisë, Muriq pati edhe paraqitje me ekipin e parë, nën urdhrat e trajnerit Pep Guardiola.
Pjesën tjetër të karrierës e kaloi si i huazuar te NAC Breda për një kohë të shkurtër, pastaj te Nottingham Foresti, Girona në Spanjë dhe Willem II në Holandë. Është kritikuar shumë për çështje disiplinore. Pikërisht për një gjë të tillë, më 23 mars të vitit të shkuar, ishte përjashtuar nga kampi i Kosovës.
“Me vendim të Federatës së Futbollit të Kosovës, futbollisti Arijanet Muriq largohet nga kampi i ekipit kombëtar për arsye disiplinore”, kishte shkruar FFK-ja në sajtin zyrtar.
Probleme disiplinore në të kaluarën ka pasur edhe Mario Balotelli, bashkëlojtar i portierit 23-vjeçar të Kosovës. Por, puna e madhe e trajnerit italian, Vincenzo Montella, ka bërë që si Muriq ashtu edhe Balotelli, të japin më të mirën në fushën e lojës. Madje, Balotelli i është bashkuar sërish Përfaqësueses së Italisë, pas gati katër vjetësh mungesë. 31-vjeçari i sulmit ka shënuar nëntë gola e pesë asistime në 21 ndeshje në të gjitha garat. Adana Demirspori sivjet po lufton që të zërë vend në garat evropiane.
Është në pozitën e katërt dhe në 23 ndeshje të Superligës së Turqisë në këtë edicion ka grumbulluar 37 pikë, aq sa ka edhe Fenerbahçe në vendin e pestë.
Lider është Trabzonspori me 54 pikë. Më herët është raportuar se Muriq, në fund të këtij sezoni do t’i bashkohet ekipit tjetër të Turqisë, Galatasarayt për edicionin e ardhshëm. Ai ka kontratë me Cityn deri në verën e vitit 2024. /albora.ch/