Kundërshtarët e masave kufizuese për shkak të pandemisë Corona, kanë dalë sërish në rrugë, në shumë qytete të Gjermanisë. Protesta dhe incidente sporadike ka pasur në shumë qytete, ku një numër veçanërisht i madh i protestuesve është regjistruar në lindje të vendit.

Rreth 12.000 njerëz në më shumë se 20 qytete kanë protestuar në Mecklenburg-Pomerani. Në Rostock, disa njerëz u përpoqën të ndryshojnë rrugën e planifikuar të demonstratave dhe të thyejnë barrierat e policisë. Kjo është evituar me përdorimin e “dhunës së thjeshtë fizike”dhe shkopinjve, kumtuan njësitë policore. Në disa vende ka pasur edhe kundër-tubime, shkruan dw.com, përcjell albora.ch.

Marketing

Mijëra njerëz kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me masat kufizuese edhe në Saksoni. E në Dresden dhe Leipzig është dashur të ndërhyjë policia për të shpërndarë grumbullimet e mbajtura pa leje. Policia në Leipzig është dashur të ndërhyjë edhe për të ndarë demonstruesit dhe kundër-demonstruesit, për shkak se kërcënonte mundësia e përleshjeve. Në Lichtenstein afër Zwickau, janë sulmuar edhe pjesëtarët e policisë – 14 prej tyre janë lënduar. “Një person ka tentuar t’ia marrë armën një polici, ndërsa një polic tjetër është kafshuar gjatë përpjekjeve për të shpërndarë demonstruesit”, bën të ditur përfaqësuesit e policies, transmeton albora.ch.

Policia në Magdeburg në Saksoni-Anhalt raportoi për sulme të shumta kundër policisë me gurë, piroteknikë, shishe dhe mjete të tjera. Deri tani nuk ka të dhëna për të lënduar. Protesta ka pasur edhe në Brandenburg. Aleanca “Potsdami tregon ngjyrat e shumta” ka bërë thirrje që qyteti të mos lejohet të bie në duart e kundërshtarëve të masave.

E qindra kritikë të masave në Berlin kanë protestuar kundër masave kufizuese para studios së Televizionit të Dytë Gjerman. Ata kanë hedhur edhe parulla “shtypi gënjeshtar”.

Poashtu sipas dw.com, protesta të vogla dhe kryesisht të qeta ka pasur edhe në landin Renania Veriore Vestfalia dhe disa rajone të tjera./albora.ch/

Marketing