Pavarësisht se institucionet nuk punojnë sot për shkak të festës, në IKShPK numër i vogël i qytetarëve kanë shkuar që të testohen.
Bashkëatdhetari, Faton Gashi tha se ka ardhur bashkë me vajzën që të testohen meqë i duhet rezultati i testit negativ për të udhëtuar jashtë vendit. Ai sqaroi se nuk ka pritur në radhë, procesi ishte i shpejt dhe gjithçka ishte në rregull.
“Kam ardhur, kemi me udhëtuar nesër me vajzën. Sot e bëra, nesër i marrë rezultatet këtu. Në përgjithësi mirë, nuk pat shumë njerëz, shpejt e kryem. Gjithçka mu duk në rregull”, tha Gashi.
Edhe, mërgimtari tjetër, Shefqet Berisha u testua për tu kthyer në Gjermani, vendin ku jeton e vepron. Pavarësisht se e i ka të dy dozat e vaksinës, për të hyrë në këtë shtet i duhet patjetër testimi.
“Po me duhet për shtetin ku udhëtojë unë atje në Gjermani duhet me pas. Megjithëse unë i kam marrë dy vaksina, e kam vërtetimin, e kam librezën, por duhet si dëshmi se kam qenë këtu 15 ditë ”, shtoi ai.
Përveç në IKShPK, testime për Covid-19 kryhen edhe në klinika private në gjithë vendin, prej edhe nga grumbullohen më pas të dhënat për rastet pozitive me virus për 24 orë.
Ndërkohë, ministria e Shëndetësisë të hënën ka bërë të ditur se janë kryer 3 mijë e 711 testime për koronavirus, ku 38 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virus. /albora.ch/