Viti 2021 nuk mbahet mend për të mirë për aktorin e autorin e njohur shqiptar, Çun Lajçin.
Ai e kujton si vitin që për pak sa nuk ia mori jetën për shkak se u infektua dy herë me virusin SARS-Cov-2, duke qenë se e vuajti aq shumë këtë pjesë e madje e shkëputi thuajse tërësisht nga veprimtaria artistike.
Me gjithë problemet e gjërat e zakonshme, Çun Dreli arriti që në vitin që sapo e lamë pas të sjell dy vepra “Ofshamë Malli” dhe “Kopilani”, duke e cilësuar si suksesin e vetëm për 2021.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, aktori i njohur i skenës dhe ekranit ka rrëfyer se si shkoi për të viti 2021, me çfarë saktësisht e kaloi kohën dhe për rolet e suksesshme në “Zgjoi” e “Rrushe”.
Ai thekson se vitin e kaluar ka qenë më pak aktiv në fushën e artit, pasi ishte infektuar me coronavirus dhe se ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore.
“Të them të drejtën, kam qenë shumë më pak në fushën e artit për dy arsye, për shkak të pandemisë që ishte do të thotë e përbashkëta e të gjithëve, por e veçanta ime ishte që në këtë pandemi mua më zuri dy herë virusi kështu që gati gjithë vitin, të mos them krejt vitin 2021 më shkoi herë në dhomë herë duke ecur si breshka platosë kurrizit sepse nuk e di a e ka vuajtur kush këtë virus se sa unë, më ka mbajtur shumë gjatë dhe gati gati më ka shkëputur edhe prej krijimtarisë time artistike, prej teatrit gjithsesi shumë më pak prej filmit”, ka thënë artisti për Telegrafi.
Megjithatë, Lajçi thotë se në vitin 2021 mburret me pjesëmarrjen në filmin “Zgjoi”e po ashtu edhe për dy veprat që publikoi: “Ofshamë Malli” dhe Kopilani”.
“Fatbardhësisht, mund të lavdërohem pak a shumë me filmin “Zgjoi”, i cili vërtetë ka bërë rrëmujë nëpër Evropë por edhe në Amerikë me dy çmimet kryesore në Sundance Festival, ku unë luaj rolin e dytë të mashkullit apo rolin kryesor të mashkullit. Për të tjerat, të gjitha këto kanë qenë nën hijen e virusit që e kisha. Por, edhe përkundër asaj jam munduar me shkrimet jam shumë aktiv sepse këto kohët e fundit jam më shumë aktiv në letërsi se sa në skenën e teatrit apo në film. Filmi edhe ashtu xhirohet rrallë tek ne edhe ashtu për këto rolet e tona, për moshën tonë të them të drejtën janë të mangëta, pak kush shkruan për vitet që i kemi, karakteret që i kemi, pak të angazhojnë në film, me pensionim gati gati na kanë harruar. Viti 2021 për Çunin lehtë mbahet mend për dy botime të librit, që duhet përmendur dhe që është i vetmi sukses i imi, “Ofshamë Malli”, një përmbledhje poetike dhe “Kopilani”, roman”.
“Jam shumë i lumtur që në këtë boshllëk dhe në këtë dergjë timen sepse një muaj ditë isha në spital dhe gjashtë muaj të tjerë i izoluar me oksigjen në banesë. Janë dy veprat e mia shumë të rëndësishme të cilave po mundohem në mënyrën time me ua bë prezantimin me ua bë promovimin që jam spostu nga biblioteka kombëtare. Tani kam ik, kam dalë nga institucioni të sorollatem rrugëve të atdheut, qyteteve të Kosovës, Iliridës, Tiranë kryesisht dhe Shkodër. Gjithë jeta ime artistike, ka qenë herë në skenë brenda katër mureve dhe në të shumtën e rasteve shesh xhirimi ku kemi bërë filmat. Kjo ka qenë ndoshta veprimtaria ime më e saktë për dy vitet e fundit, ani pse ishte pandemi, sepse nuk ka mbet qytet shqiptarie pa qenë prezent Çuni në sheshe me libra e veta. Kam arritur që të kem mijëra lexues, ky është sukses i jashtëzakonshëm sepse në kohë internetesh, celularesh, libri ka mbet ndër fëmijët më jetim që kemi, sepse nuk ka lexues”.
Ndërkohë që me të hollat që mbledh nga shitja e librave, aktori i rezervon për veprat e tjera dhe ato që mbesin për pak jetesë.