Megjithatë, për shumicën e votuesve, çështja kryesore në këto zgjedhje është kostoja e jetesës

Marketing

Franca më 10 prill mban rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Në këto zgjedhje garojnë 12 kandidatë, teksa presidenti aktual, Emmanuel Macron po kërkon që ta fitojë një mandat të dytë.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton shumicën, atëherë rundi i balotazhit do të mbahet më 24 prill.

Fituesi do të zgjidhet në mes të katër grave dhe tetë burrave kandidatë. Presidenti i ri do të ketë fuqinë që të formësojë Francën dhe rolin e saj kyç në Evropë në pesë vjetët e ardhshëm. Edhe pse zgjedhjet janë lënë në hije nga lufta e Rusisë në Ukrainë, për shumicën e votuesve, çështja kryesore në këto zgjedhje është kostoja e jetesës.

Në zgjedhje të drejtë vote kanë 48.7 milionë votues. Sondazhet e favorizojnë Macronin, ndërkaq Marine Le Pen konsiderohet rivalja e tij kryesore, përderisa majtisti Jean-Luc Mélenchon në bazë të sondazheve parazgjedhore, pritet të dalë i treti.

Pse janë të rëndësishme këto zgjedhje?

Dy kandidatët kryesorë Macron dhe Le Pen kanë pikëpamje shumë të ndryshme sa i përket politikës së jashtme dhe qasjes ndaj Rusisë, por edhe Bashkimit Evropian. Po ashtu ata kanë edhe pikëpamje të ndryshme lidhur me financat publike apo për investitorët e huaj.

Një fitore e Macronit do të thoshte një vazhdimësi për Francën, ndërkaq një fitore e Le Pen do të nënkuptonte ndryshime të mëdha.

Tani që Britania është larguar nga BE-ja, Franca është fuqia kryesore ushtarake e bllokut. Po ashtu, është ekonomia e dytë më e madhe, dhe largimi nga politika e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, i ka dhënë Macronit një rol më të rëndësishëm në Evropë. Një fitore e Le Pen do ta përplaste Francën me partnerët e BE-së.

Shqetësimet kryesore për votuesit, sipas sondazheve, janë rritja e madhe e çmimeve të energjisë dhe rritja e inflacionit. Sondazhet po ashtu tregojnë se votuesit janë të pakënaqur me politikat ekonomike të Macronit, edhe pse niveli i papunësisë është më i ulëti ndër vite. Po ashtu, mënyra sesi Macron ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit, pritet të luajë rol në këto zgjedhje, pavarësisht se kufizimet kundër COVID-19 pothuajse janë hequr të gjitha.

Marketing