Manchester City do të përballet me Arsenalin të mërkurën mbrëma në Etihad Stadium, në një ndeshje ku pritet të vendosë edhe titullin e kampionit në Angli.

Marketing

Arsenali aktualisht janë lider në Ligën Premier me 75 pikë, pesë më shumë se City në vendin e dytë, por që skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.

Rëndësinë e kësaj ndeshje e di mirë trajneri Pep Guardiola i cili ka folur para kësaj përballje.

“E mërkura është një finale kundër një skuadre që ka qenë ekipi më i mirë në Angli deri tani dhe është pesë pikë përpara nesh. Shpresojmë që gjatë gjithë kësaj dite Manchester të jetë i kaltër në mënyrë që të na mbështesin, pasi ne na duhet një zhurmë e pabesueshme prej minutës së parë deri tek e fundit, sepse unë e di se ndaj cilit kundërshtar ne do të luajmë”.

“Unë e di, pavarësisht se ata kanë barazuar tri ndeshjet e fundit. Mënyra se si ata luajnë për pjesë të mëdha të ndeshjes, i bën gati të pamundur për t’i ndalur. Ne duhet të lexojmë ekzaktësisht atë që duhet të bëjmë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne”, tha Pep.

Tutje Pep ka thënë se shpreson që në ‘Etihadi’ të mbushet nga tifozët tre orë para ndeshjes pasi duan një fitore që do t’i afronte ata edhe më shumë me titullin.

“E dimë që një fitore do të ishte një hap për ta pasur tërësisht në dorën tonë. Liga Premier  është 11 muaj punë, punë, punë. Dhe ne duam ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Ne nuk mund ta bëjmë vetëm. Shpresojmë që ‘Etihadi’ të jetë plot tri orë përpara ndeshjes”, tha Pep.Reklama

Përkundër se Topçinjtë kanë barazuar në tre sfidat e fundit, Pep thotë se skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta mbetet një kundërshtar i jashtëzakonshëm.

“Unë nuk e pashë ndeshjen kundër Southamptonit, por pashë ndeshjen e parë kundër Liverpoolit dhe ata kishin momentin e tyre të vrullit. Pashë 20, 25, 30 minutat e para kundër West Hamit dhe ata kishin të njëjtin moment. E di se sa e vështirë do të jetë pasi ata janë rivalë të mëdhenj. Ne duhet të jemi në ditën tonë”, deklaroi Pep.

Marketing