Dy persona kanë vdekur si pasojë e një aksidenti në magjistralen Skenderaj – Drenas, përkatësisht në fshatin Gllobarë.

Marketing

Rastin e ka konfirmuar Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se të vdekur janë një grua dhe një fëmijë, ndërkaq tre persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore të cilët po trajtohen në QKUK.

“Nga informatat e para bëhet e ditur se dy vetura janë përfshirë në aksident rreth orës 14:00, dhe si pasojë e aksidentit dy persona kanë humbur jetën përderisa tre të tjerë kanë pësuar lëndime”.

“Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti”, deklaroi Borovci.

Borovci shtoi se trupat e pa jetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërkaq, sipas raportit të Policisë së Kosovës, në 24 orët e fundit ky është aksidenti i dytë me fatalitet. Po ashtu 19 aksidente trafiku me të lënduar dhe 18 aksident trafiku me dëme materiale.

Gjithashtu bëhet e ditur se në 24 orët e fundit, janë shqiptuar 1239 tiketa./Telegrafi/

Marketing