Marketing

Kompania për bartjen e funeraleve ka ngatërruar kufomën e një gruaje nga Istogu duke e bartur për në Prizren. Kjo grua u varros në këtë qytet pasi që familja mendonte që në arkivol është familjari i tyre 77-vjeça që kishte vdekur në të njëjtën ditë nga COVIDI. Me të kuptuar gabimin kompania tentoi ta bëjë sërish ndërrimin e kufomave. 

Ndërsa, Policia e Kosovës i ka arrestuar dy punëtorë të saj. 

Një grua 80-vjeçare nga Istogu në mëngjes kishte vdekur në QKUK nga COVID-19.

Disa orë me herët kishte vdekur një 75-vjeçar nga Prizreni.

Kufomat e tyre u ngatërruan nga kompania që ShSKUK-ja e ka kontraktuar për bartjen e tyre dhe kryerjen e ceremonisë së varrimit.

Nga kompania e kontraktuar, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, për këtë çështje u arrestuan dy punëtorë.

Familja në Prizren e kishte varrosur viktimën e cila në fakt ishte nga Istogu.

“Të dyshuarit E.R., dhe M.N. nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K. Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe iu është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K. dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K. Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 

Pasi punëtorët e kompanisë së kontraktuar e kanë kuptuar gabimin, sipas Prokurorisë, dy punëtorët kanë tentuar që t’i ndërrojnë kufomat.

“Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R. dhe M.N. sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K. dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartcekur, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D. dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K. E gjithë kjo është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K. dhe pa njoftuar zyrtarët policorë. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D. është kthyer sërish në Prishtinë”, sipas Prokurorisë.

Më këto veprime, sipas Prokurorisë, të dyshuarit E.R. dhe M.N. kanë përmbushur elementet e veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave”.

Pronari i kompanisë për shërbime funeralesh “Ngushëllimi”, Blerim Nreci, thotë se nuk e di arsyen se pse u ngatërruan dy kufoma në Klinikën Infektive derisa beson se ka mundur të ngatërrohet dokumentacioni për shkak se viktimat kanë vdekur në orë të përafërt.

“Ju shpreh ngushëllime familjeve dhe na vjen keq për situatën që ka ndodhur nga neglizhenca jonë dhe e institucioneve shëndetësore. Presim gjykatën që të japë përgjigjen e vetë. Rastet e viktimave në klinika janë procedura që zgjasin rreth dy orë. Ora e vdekjes së dy viktimave ishte e përafërt dhe kërkuam kufomën e rastit, por çka ka ndodhur me dokumentacion nuk e di”, tha ai për Klan Kosova.

Nreci kërkoi që dy punëtorët e kompanisë së tij që janë paraburgosur për këtë rast të lirohen, teksa u kërkoi shumë falje familjeve.

“Ne kemi marrë vesh edhe prej punëtorëve edhe nga klinika se ka ndodhur diçka me dokumente dhe po presim. Dy punëtorët i kam në paraburgim dhe presim derisa të bëhet zgjidhje. U kërkojmë falje shumë familjeve”.

“Tani nuk mund të japë përgjigje pasi rasti është nën hetim dhe të mos paragjykojmë. Punëtorët i kam në paraburgim dhe kërkojmë që të lirohen. Deri tani ne kemi menaxhuar bartjen e 3000 kufomave. Tani për tani nuk mund të flas se kush çfarë ka bërë, por si përgjegjës i kompanisë nuk jam informuar për këtë rivarrim. Njëherë ka pasur probleme me dokumentacion tani s’di çka të them. Presim hetimet”, shtoi ai.

Pronari i kësaj kompanie që bën transportin e kufomave tha se ky është rasti i parë i këtij lloji që iu ka ndodhur, derisa shton se nëse ka qenë gabim atëherë pranimi i gabimit është diçka hyjnore./albora.ch/

Marketing