Një thirrje për ta pasur prioritet dialogun Kosovë – Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja, erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marketing

 “Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta kenë prioritetet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të punojnë në minimizimin e tensioneve dhe të ndjekin negociatat me fleksibilitet dhe në frymën e kompromisit të nevojshëm për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse që do të mundësojë rrugën e tyre përkatëse evropiane”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

Një deklaratë e tillë erdhi nga DASH-i duke iu përgjigjur pyetjeve të REL-it për një raport të publikuar së fundmi nga Institutit për Politika të Jashtme të Universitetit Johns Hopkins (SAIS) dhe Qendrës Wilson, që ia rekomandonte administratës amerikane vendosjen e sanksioneve për politikanët e Kosovës dhe Shqipërisë që me deklaratat e tyre promovojnë bashkimin e të dyja shteteve.

“Ne e vlerësojmë këndvështrimin akademik dhe të organizatave për këto çështje. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një Kosovë sovrane, të pavarur, multiektnike, siç parashihet në Kushtetutën e saj”, tha zëdhënësi i DASH-it, duke mos e komentuar këtë raport.

Lulzim Peci, një nga kontribuesit në raportin e titulluara “Nga kriza në konvergjencë – Strategjia për të trajtuar paqëndrueshmërinë dhe burimin e saj në Ballkan”, tha se e sheh si mundësi reale që SHBA-ja të sanksionojë politikanët që promovojnë “bashkimin” e Kosovës dhe Shqipërisë.

Por, për njohësin e çështjeve politike, Agon Maliqi vendosja e sanksioneve për këtë çështje nuk duket si masë reale .

“SHBA-ja nuk e ka praktikë të sanksionojë opinione. Në raste të tilla praktikohet shmangia e vizitave ose izolimi politik”, tha Maliqi.

Së fundmi, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj politikanëve në Ballkanin Perëndimor lidhur me dyshimet për përfshirjen e tyre në korrupsion.

Në maj të vitit 2021, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha u shpall ‘persona non grata’ (person i padëshiruar) për shkak të përfshirjes në korrupsion të gjerë.

Më 5 janar 2022, SHBA-ja zgjeroi sanksionet ndaj anëtarit serb të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, për përfshirje në korrupsion dhe minimin e stabilitetit të Bosnjës dhe rajonit.

Ndërkohë, zëvendësndimës Sekretari për Çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka paralajmëruar se SHBA-ja do të sanksionojë edhe politikanë të tjerë në këtë rajon. /albora.ch/

Marketing