Pas Izraelit është Danimarka ajo që do ta ofrojë dozën e katërt të vaksinës për Covid-19 për qytetarët më të rrezikuar nga koronavirusi në kohën kur po përballet me shifra rekorde të infeksioneve nga varianti Omicron, tha të mërkurën ministri danez i Shëndetësisë.
Ky vendim erdhi pas marrëveshjes së deputetëve për lehtësimin e masave kufizuese në fund të javës, përfshirë rihapjen e kinemave dhe sallave muzikore, pasi shkalla e hospitalizimeve dhe numri i vdekjeve janë stabilizuar pavarësisht rritjes së shifrës së të infektuarve.
Ministri i Shëndetësisë, Magnus Heunicke tha se sa më i përhapur që është infeksioni në shoqëri, aq më i madh është rreziku që infeksioni të arrijë te personat më të ndjeshëm. “Po hyjmë në një kapitull të ri, më saktësisht vendimi për ta ofruar dozën e katërt për qytetarët më të ndjeshëm”, tha ai.
Rregullatori i ilaçeve i Bashkimit Evropian ka shprehur dyshime rreth nevojës për dozën e katërt dhe ka thënë se nuk ka të dhëna që e përkrahin këtë qasje përderisa po kërkon më shumë të dhëna rreth variantit që përhapet shpejt, shkruan Reuters. Edhe një shtet tjetër anëtar në Bashkimin Evropian, Hungaria është duke e shqyrtuar ofrimin e dozës së katërt. Izraeli dhe Kili tashmë kanë nisur që ta ofrojnë dozën e katërt./albora.ch/