Dy persona kanë vdekur në Ganë pasi u infektuan me virusin Marburg, një sëmundje shumë ngjitëse që i përket së njëjtës familje me virusin Ebola, shkruajnë mediat zvucerane, përcjell Albora.ch.

Marketing

 Mostrat ishin pozitive në fillim të këtij muaji dhe tani janë kontrolluar nga një laborator në Senegal. Viktimat ishin dy burra të moshës 26 dhe 51 vjeç. Të dy u trajtuan në të njëjtin spital. Sipas autoriteteve shëndetësore të Afrikës Perëndimore, 98 persona janë tani në karantinë me dyshimin se mund të jenë infektuar, raporton BBC . Nuk ka ende asnjë trajtim për Marburg. Virusi transmetohet te njerëzit nga lakuriqët e natës, dhe përhapet midis njerëzve duke transferuar lëngje trupore.

Njerëzit duhet të qëndrojnë larg shpellave

Është një sëmundje serioze, shpesh fatale me simptoma të tilla si dhimbje koke, ethe, dhimbje muskulore, të vjella gjaku dhe gjakderdhje. Autoritetet po paralajmërojnë njerëzit që të qëndrojnë larg shpellave dhe të gatuajnë tërësisht të gjitha produktet e mishit përpara se t’i konsumojnë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Afrikë, shpërthime të mëparshme dhe raste sporadike janë raportuar në Angola, Republikën Demokratike të Kongos, Kenia, Afrikën e Jugut dhe Ugandë.

 Shpërthimi i parë i Marburgut ndodhi në Gjermani në vitin 1967. Në atë kohë, shtatë njerëz vdiqën.

Në vitin 2005, më shumë se 200 njerëz vdiqën nga virusi në Angola, OBSH thotë se ishte shpërthimi më vdekjeprurës deri më sot. Albora.ch.          

Marketing