Derisa e priti në Shtëpinë e Bardhë kancelarin gjerman, Olaf Scholz, presidenti amerikan, Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania janë në të njëjtën linjë, teksa punojnë për të adresuar tensionet e shkaktuara nga grumbullimi i trupave ruse pranë Ukrainës.
Biden u shpreh se Gjermania dhe SHBA-ja po punojnë për të penguar agresionin rus në Evropë. Scholz tha se Perëndimi ishte i bashkuar në qasjen ndaj këtij problemi dhe se do të vepronte menjëherë nëse Rusia do ta pushtonte Ukrainën.
Takimi në Shtëpinë e Bardhë u zhvillua po në të njëjtën ditë kur presidenti francez, Emanuel Macron u takua në Moskë me homologun rus, Vladimir Putin, që kishte për qëllim uljen e tensioneve pas grumbullimit ushtarak rus pranë kufijve të Ukrainës.
Prej kur Scholz mori postin e kancelarit në dhjetorin e vitit të kaluar, kjo është vizita e parë e tij në SHBA. Kancelari gjerman është përballur me kritika pasi nuk është pajtuar që të dërgojë armë në Ukrainë.
Para se të nisej në Uashington, Scholz përsëriti qëndrimin se Gjermania nuk do të dërgojë armë në Ukrainë, por tha se Berlini është i gatshëm të dërgojë trupa në shtetet baltike./albora.ch/