E njohin jetën dhe mentalitetin në Kosovë e në Shqipëri dhe në përgjithësi në Ballkan, ku kanë lindur e janë rritur, por edhe në Evropë, ku tash jetojnë e punojnë. Të arsimuara e me përvojë jetësore e në profesionet e tyre, mbase përgjigjet e tyre në pyetjen “Si është të jesh grua në Ballkan, e si në Evropë” mund të jenë me dobi për vendet tona në tranzicion.

Marketing

Anketës sonë fillimisht iu përgjigjën: Shemsije Elshani, e shkolluar për stomatologe, ndërsa tash, pas kualifikimeve të shumta të arritura, është punëtore sociale në Zvicër; Shpresa Tafaj, pedagoge sociale në Köln të Gjermanisë, gjithashtu ka studiuar Gjuhën dhe Letërsinë Angleze dhe aktualisht studion Shkencat Politike; Vlora Pireva, Specialiste në Burime njerëzore, Komunikimin në bachelor si dhe master në Menaxhimin e burimeve njerezore, të dyjat në Londër, ku edhe jeton.

 Shemsije Elshani: Nuk diskriminohet gruaja, po talenti dhe vlera liberale

“Mendoj të kthehem, por nuk shoh mundësi”: Shemsije Elshani

Ukshin Hoti më pyeti njëherë:

– Në rast se ndahesh me burrin, a ta pranon familja jote djalin m’e marrë me vete?

– Jo… i thashë.

– Çudi… tha … – Në rastin tim edhe një fshat kaq i prapambetur si Krusha e Madhe u “evropizua”, u “civilizua”.

(Siç dihet, fëmijët e Ukshin Hotit u rritën tek dajët. Pengesat nga rrethi patriarkal i dajallarëve për t’i takuar fëmijtë e vet i ka shkruar në libër.)

Ky shembull nuk dua të merret si rast ekzotik por symptomatik, që raportet patriarkale në Kosovë nuk diskriminojnë gruan/femrën por idenë përparimtare, talentin dhe vlerën evropjane liberale, pavarësisht gjinisë.

Ndaj them me plot gojën si vajzë dhe si grua nuk jam diskriminuar kurrë; si vlerë, si talente, si përparimtare PO, dhe atë në çdo hap të jetës.

Edhe sot nuk ka ndryshuar gjë, edhe në shoqëri vendin e ke varësisht prej raportit tënd me patriarkatin, pavarësisht gjinisë.

Kaq sa jam, jam “falë” këtij diskriminimi të vazhdueshëm dhe falë mundit dhe përpjekjeve vetiake për të çarë përpara.

Ika në Zvicër për ta rritur djalin në një ambient të shëndoshë social, larg ndikimit patriarkal.

Në Zvicër kam përjetuar diskriminim si e huaj  kryesisht në tregun e punës. Si nënë e dy fëmijëve të vegjël nuk arrita të bëj njohjen e diplomës, ndaj deri më sot nuk kam arritur të ushtroj profesionin tim të stomatologes që e kam mbaruar në Prishtinë.

Kam punuar kryesisht në drejtimet sociale me të gjitha kategoritë: me gratë viktimat e dhunës familjare, me integrimin e të huajve, me fëmijët parashkollorë, etj. Kam punuar po ashtu gati dhjetë vite si përkthyese në shqip/ gjermanisht dhe anasjelltas si dhe dhe serbisht/ gjermanisht dhe anasjelltas.

Kam bërë shkollime, trajnime të ndryshme. Gjuhën gjermane e kam mësuar në Institutin e Goethe-s. Kam bërë dhe kurset specifike për përkthime në lëmitë e ndryshme për përkthime në gjykata, p.sh, modulet e interkulturës etj.

Së fundi punoj në një institut socialterapeutik të të rriturve me nevoja speciale.

Në shoqëri me zviceranë të vlersojnë kryesisht për personalitetin, jo për gjininë.

Sa i përket lirisë shoqërore e individuale jam plotësisht e realizuar. Ndihem shumë komode.

Vetë kurrë nuk u ndjeva si n’ shtëpi, por me orientimin kah vlerat universale, fëmijëve arrita t’ ua krijoj një vatër familjare të shëndoshë dhe një rreth social po ashtu të shëndoshë me ligjin që i qëndron prapa.

Gjithmonë mendoj të kthehem, por ende nuk shoh mundësi. Nëse kthehem janë pikërisht miqtë me të cilët do të kisha dëshirë të pija kafe e të shkrihemi në biseda të gjata e pa fund.

Shpresa Tafaj: Të mos përqëndrohemi më shumë te problematika sesa te progresi

“Ende jemi larg nga barazia e plotë gjinore”: Shpresa Tafaj

Të jesh grua në Kosovë është sfidë konflikti mes arritjes së pavarësisë, kultivimit e emancipimit dhe ruajtjes së pozitës në shoqëri. Një grua e joshur nga ngritja intelektuale dhe barazia gjinore, kërkon mënyrat më të përshtashme për të konkretizuar ambicjet dhe ngritur potencialin, duke bartur mbi supe barrën e dogmave të mentalitetit, gjithnjë në përpjeke për të mos cenuar “nderin” personal dhe atë të familjes.

Niveli i vështirësive në këtë rast varet shumë nga rrethi, në të cilin jeton gruaja si dhe nga përkrahja morale e financiare që asaj ia ofron familja.

Ngacmimet seksuale që nga momenti i daljes në rrugë nuk kanë të ndalur as në institucionet shkollore ose në vendin e punës, jo rrallë edhe nga mësimdhënësit, kolegët dhe eprorët.

Gruaja në Kosovë është shpeshherë në presion të vazhdueshëm nga rrethi për gjendjen e saj civile, planifikimin e familjes, mënyrën e të jetuarit, dukjen, paraqitjen publike, etj. Nëse je në fund të 20-ave dhe nuk je e martuar, nëse ke kaluar dy-tri vjet martesë dhe s’ke fëmijë, nëse ke lindur vajza e asnjë djalë, nëse ke shtuar dy-tre kilogramë ose del në rrugë pa make-up,… duhet t’i japësh llogari rrethit.

Në rastin e ndarjes nga bashkëshorti ose vdekjes së tij, të jesh grua “e vetme” dhe vetushqyese është pozita më e rëndë në të cilën mund të gjendet gruaja kosovare.

Pozita e gruas në vendet demokratike evropiane  është e kënaqshme. Megjithëse ende nuk është arritur barazia e plotë gjinore, sidomos në rrafshin profesional e financiar, gruaja gëzon mbrojtje dhe mbështetje nga ligji dhe institucionet shtetërore në rastet kur asaj i rrezikohet siguria financiare ose edhe ajo fizike. Lehtësime dhe mbështetje financiare i ofrohen gruas, e cila dëshiron të shkollohet dhe të ngritet profesionalisht, duke ia siguruar ekzistencën asaj dhe familjes si dhe financuar shkollimin.

Mentaliteti patriarkal dhe dominimi i burrit mbi gruan, megjithëse më i zbutur sesa në vendet e Ballkanit, ekziston edhe në kulturat perëndimore, por zbatimi i ligjit ka ndikuar që shtypja e grave të mos ketë zbatim të gjerë në praktikë. Gjithashtu edhe për shkakun se veprime të tilla, jo vetëm që dënohen me ligj, por nuk gjejnë mbështetje as te opinioni publik. Përderisa në vendet me sistem patriarkal keqtrajtimi i një gruaje nga burri i saj arsyetohet nga rrethi me padëgjueshmërinë, kryelartësinë, “pavarësinë e tepërt” të gruas, që gjoja burrit nuk i lë zgjidhje tjetër, përveçse të ushtrojë trysni e dhunë, e me raste edhe privim të saj nga jeta, në kulturën perëndimore aktet e tilla janë të patolerueshme nga vetë qytetarët dhe nga shoqëria civile.

Keqtrajtimi i gruas shprehet edhe te komunitete të ndryshme migrantësh për shkak të dallimeve në mentalitet mes vendit prej nga kanë ardhur dhe atij në të cilin jetojnë aktualisht. Në rastet e krizave të tilla të identitetit dhe trysnisë së vazhdueshme ndaj familjes për të ruajtur kulturën me fanatizëm dhe për t’u mbrojtur nga asimilimi, keqtrajtimet zgjasin me vite të tëra, madje me gjenerata të tëra, gjithnjë brenda katër mureve, prapa dyerve të mbyllura.

Marrë në përgjithësi, pozita e gruas në shoqëri ka pasur progres të madh në vitet e fundit dhe rezultatet shihen, por ende jemi larg nga barazia e plotë gjinore. Megjithëse kur flasim për këtë temë, përqëndrohemi më shumë te problematika sesa te progresi, keqtrajtimet ndaj grave assesi nuk duhet të gjenralizohen e të përdoret gjuhë gjithpërfshirëse, qoftë fjala për Kosovën apo për vendet perëndimore. Në të dyja rastet kemi shembuj pozitivë dhe negativë në këtë rrafsh.

Vlora Pireva: Ne gratë, kudo ne bote, jemi në një luftë të përbashkët

“Gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur”: Vlora Pireva

Në të dy kulturat, të jesh grua do të thotë të jesh në luftë konstante me patriarkatin, për pozitën tënde në shoqëri, për të drejtat tua, për lirinë tënde, në çdo hap të jetës.

Në Ballkan ekziston bindja se gruaja në Perëndim e ka arritur lirinë dhe pavarësinë e saj të plotë, por e vërteta është se ne gratë, kudo ne bote, jemi duke i luftuar betejat e një luftë të përbashkët, luftës për liri. Bie fjala, në Perëndim ka me shume gra që punojnë dhe sigurojnë pavarësinë e tyre financiare, por s’do të thotë se lufta ka përfunduar me punësimin tënd e me disa të drejta shtesë. Vendi i punës për gruan në Perëndim bëhet vetëm një arenë e re lufte, ku ajo ballafaqohet me sfida tjera, të cilat i duhet t’i luftojë për të mbrojtur pozitën e vet dhe për të arritur aty ku i ka synimet profesionale. Në Perëndim është i njohur termi ‘Glass Ceiling’ apo “Tavani i qelqit”, që nënkupton pengesën e fshehur që shume gra e hasin gjatë rrugëtimit të tyre në karrierë. Edhe në Perëndim gruaja ka frikë të ecë e vetme rrugëve të qytetit.

Në anën tjetër, gruaja në Ballkan është ende në stadin e hershëm të kësaj lufte, sepse ende s’i ka kaluar betejat brenda familjes. Babai, vëllai e më vonë burri shpesh janë autoritete të pakonestueshme e që jo rrallë veshtirësojnë, por edhe pengojne bërjen e zgjedhjeve të duhura për jetën e saj. Pra, gruaja kudo që është, është në luftë.

Sidoqoftë, gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur, si në Perëndim, ashtu edhe Ballkan, edhepse ngadalë. I gezohem faktit që në Ballkan ka shenja se gruaja çdo ditë e më shumë po vetëdijesohet për pozitën e saj dhe atë se çka i duhet, cila është arma më e fortë në luftën e vazhdueshme për lirinë e saj. Ndërsa në Perëndim po shohim më shumë gra nëpër vende udhëheqëse e vendimmarrese.

(D.G.)

Marketing