“Unë jam shumë i gëzuar me qenë këtu në Kosovë”, kështu iu drejtua kosovarëve ambasadori i ri amerikan, Jeff Hovenier, i cili nisi punën sot.

Marketing

Në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Hovenier ka thënë se e njeh Kosovën mirë.

“Është nder i jetës sime që të shërbej si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Gruaja ime Laura dhe unë jemi duke e njohur këtë vend dhe njerëzit edhe më shumë. Tani jam krenar që jam në këtë detyrë dhe këtë mundësi për të marrë pjesë në një proces në Kosovë. Të jem përfaqësues i presidentit Biden në Kosovë”, shtoi ai.

“Njerëzit e Kosovës kanë bërë aq çfarë kanë patur nevojë ta bëjnë në nivelin global dhe të krijojnë një shtet të suksesshëm multietnik. Jam shumë i gëzuar për rolin që e ka SHBA-ja në këtë dhe mbështetjen që ia kemi dhënë Kosovës”, vuri në dukje ambasadori amerikan.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani tha se nuk do të gjeni asnjëherë aleat më të përkushtuar dhe më besnik sesa Republika e Kosovës.

 “Kam kënaqësinë e veçantë që sot t’ua prezantoj ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, z. Jeff Hovenier. Në një kohë shumë të rëndësishme për të dy vendet tona, si në rrafshin individual, e po ashtu në rrafshin bilateral, është kënaqësi ta mirëpres sot në Prishtinë një person si ambasadori Hovenier, i cili është shumë i afërt me Republikën e Kosovës sepse ka shërbyer këtu më herët dhe i kupton shumë mirë dinamikat në vendin tonë”, theksoi presidentja.

Ajo shtoi se Kosova është e bekuar që e ka SHBA-në pranë.      

 “Mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe. Kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ambasadori Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden. /albora.ch/

Marketing