Një grup alpinistësh nga Kosova të cilët jetojnë në Zvicër, prej disa kohësh ngjisin majat e larta të alpeve zvicerane.

Marketing

Shqiptarët formuan grupin e tyre tre vite më parë dhe aktualisht merren me Bjeshkatari dhe Alpinizëm.

Grupi përbëhet nga 9 persona, Kujtim Krreki, Haqif Maloku, Ymer Islami, Bashkim Sefaj, Muzli Berisha, Nezir Gervalla, Faton Shabani, Kujtim Preniqi dhe Faton Krasniqi, të gjithë shqiptarë të Kosovës.

Gjatë udhëtimeve dhe aventurave të tyre, ky grup ka pasur arritje dhe suksese të jashtëzakonshme.

Alpinistët shqiptarë mes arritjeve të tjera të tyre, kanë arritur të ngjiten në majën e Matterhorn, që shtrihet në kufirin midis Zvicrës dhe Italisë. Maja e Matterhorn është një nga majat më të larta në Alpe dhe Evropë, në një lartësi prej 4478 metrash.

Kujtim Krrekaj dhe Faton Krasniqi në majën e Matterhornit

Matterhornin kanë arritur ta kapin vetëm dy prej anëtarëve të grupit, Kujtim Krrekaj dhe Faton Krasniqi.

Kujtimi dhe Fatoni i bashkëngjiten numrit shumë të vogël të shqiptarëve që e kanë ngjitur këtë majë. Alpinistët shqiptarë këtë ngjitje kanë mundur ta bëjnë pa udhërrëfyes të licensuar malor dhe pa ndonjë kurs paraprak por me dëshirë dhe synimin për të valëvitur flamurin kuqezi në majën e Matterhornit.

“Unë jam i mbuluar me flamur kuq e zi se nuk njoh flamur tjetër pos këtij që kemi derdh gjak”, ka thënë për Gazetën Express Shqipëri, alpinisti Faton Krasniqi.

Matterhorn 4478 m

Vlen të përmendet fakti që Matterhorni është një ndër vendet më të rrezikshme për tu ngjitur dhe ka vdekshmërinë më të madhe në botë.

Grupi shqiptar nuk mundi të arrijë i gjithi në majën e Matterhornit, por dy prej tyre arritën të ngjisnin në krye flamurin kuqezi, me emblemën e lavdishme të UÇK-së!

“Inspirim për alpinizëm kemi marr nga alpinisti i parë shqiptar në Zvicër, nga zoti Daut Shala, i cili vjen nga Rugova e Hasit dhe në Zvicër merret me alpinizëm prej vitit 2002”,  tha alpinisti Faton Krasniqi.

“Baca Daut o njeri me tipare të një malësori dhe një alpinist i shquar që na këshillon dhe na inspiron në vazhdimësi, ku herë pas here edhe del së bashku më ne, Ai njeh çdo majë të alpeve dhe bjeshkëve në Evropë”, u shpreh Krasniqi.

Grupi i alpinistëve shqiptar gjatë këtyre tre viteve ka arritur të kapin rreth 100 maja.

Fatoni është shprehur se ndër më sfidueset për grupin kanë qenë maja e Bristen, me një lartësi prej 3072 m, Spitzmeilen 2501 m, Uri Rotstock 2928 m, Hoch Brisen 2413 m, Oberbauenstock 2117 m, Kleine Mythen 1811 m dhe maja më e rrezikshme ajo e Matterhorn 4478 m.

“Piz Rotondo 3192 m, një bjeshkë tepër e rrezikshme dhe sfiduese, mund të arrihet vetëm në dimër, kjo për shkak të pjerrtësisë së madhe dhe gryka e ngjitjes duhet të jetë me borë dhe akull”, tha Fatoni.

Grupi ka arritur të ngjisë dhe zbresë brenda ditës shtegun kurrizor Brienzergrat, i gjatë 34 km, me disnivel 2860 metra.

Pavarësisht rrezikshmërisë dhe vështirësive që ata hasnin gjatë ngjitjeve të tyre, ata nuk u ndalën dhe deri më tani kanë arritur të kapin 6 maja mbi 4000 metra.

Shqiptarët e apasionuar pas alpinizmit kanë arrit majën e Breithorn me një lartësi 4164 m, Allalinhorn 4027 m, Bishorn 4151 m, Lagginhorn 4010 m, Alphubel 4206 m, dhe e fundit, ashtu siç ata e quanin, arritën mbretëreshën e Alpeve zvicerane, që çdo alpinist ëndërron të arrijë, majën e Matterhorn 4478 m.

“Me të vërtet me lot të pa ndalur kam kap atë majë, e i stolisur me shqiponjë në ç’do rrobë”, tha i emocionuar Fatoni.

“Ne do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të ngjisim maja të ndryshme dhe të ngjisim Flamurin Kombëtar në çdo majë. Me krenari mbajmë emblemat e Shqiponjës pothuaj në çdo pajisje, e rroba të alpinizmit. Vetëm së bashku arrihet ç’do gjë”, u shpreh për Gazetën Express Shqipëri, alpinisti Faton Krasniqi.

Marketing