Rreth 700 persona kanë dalë vullnetarë që të kalojnë 4 ditë në qeli për të testuar burgun e ri të Cyrihut Perëndimor në muajin mars.
Kantoni dëshirojë që të provojë proceset nga 24 në 27 mars dhe t’i rregullojë ato nëse është e nevojshme para muajit prill, kur edhe pritet të hapet burgu, raporton Blick – transmeton Albora.ch.
Qëllimi i këtij testimi është që të simulohen operacionet e burgjeve në mënyrë sa më reale. Kjo do të thotë se nuk lejohen as telefonat celularë dhe as kompjuterët.
Megjithatë, ndryshe nga të burgosurit e vërtetë, vullnetarët kanë mundësinë të largohen nga burgu në çdo kohë.
Afati i regjistrimit për pjesëmarrje në testim përfundon të dielën. Të interesuarit duhet të jenë të paktën 18 vjeç, të jetojnë në kantonin e Cyrihut ose të punojnë në administratën e kantonit të Cyrihut. Përveç kësaj, ata duhet të pranojnë t’i nënshtrohen një kontrolli sigurie nga policia kantonale e Cyrihut.
Pas përfundimit të afatit të regjistrimit, më në fund merret një vendim se kush mund të marrë pjesë realisht në operacionin e testimit, pasi që nuk do të pranohen të gjithë të interesuarit.
Kujtojmë se nuk ka kompensim financiar për ‘sfidën’ e vullnetarëve, por vetëm tri vakte ushqim në ditë.