Sot bëhen 23 vjet nga masakra e Rezallës në Skenderaj ku nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth.

Marketing

Një pjesë e trupave u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve. Më 5 prill të vitit 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.

Nga masakra e Rezallës vetëm tre kanë shpëtuar të gjallë. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe sot në përvjetorin e kësaj masakre në Rezallë.

Ai ka thënë se drejtësia vendore dhe ndërkombëtare duhet të vendoset pa vonesë dhe me ngulm të veprohet që përgjegjësit të gjykohen si dhe të dënohen.

“Vendosëm lule të freskëta te lapidari dhe varrezat e këtyre martirëve të kombit të cilët u pushkatuan mizorisht vetëm për shkak se ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në trojet stërgjyshore. 98 burra dhe djem u grumbulluan dhe u ekzekutuan nga forcat serbe dhe vetëm tre që kanë shpëtuar, kjo iu ka ndodhur rastësisht. Qëllimi ka qenë që mos ta lënë asnjë të gjallë, andaj kjo masakër është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.

Kurti gjatë homazheve ishte i shoqëruar nga komandati i FSK-së, Bashkim Jashari dhe ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj.

Ndërsa, Jashari tha se masakra e Rezallës është dëshmi e fortë për faktorin ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë për masakrat krimet që ka bërë gjithandej Kosovës

“Ne sapo bëmë nderime dhe homazhe në kompleksin memorial të dëshmorëve në Rezallë. 23 pas rënies së tyre gjithë këto varre është dëshmia më e fortë për të gjithë ata që kanë hezitime se çfarë vuajtjesh ka pasur populli ynë për të arritur te kjo ditë. Është dëshmi shumë e fortë për faktorin ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë për masakrat e krimet që ka bërë gjithandej Kosovës vetëm e vetëm se kanë folur shqip. Ne do vazhdojmë deri në frymën e fundit që t’i respektojmë të rënët tanë. Po harruam këtë historia na tregon se çfarë ka ndodhur. Lavdi për të rënët për liri”, ka thënë Jashari.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka përkujtuar masakrën mbi civilët në Rezallë.

Ai kujtoi bashkëluftëtarin e tij, Naser Brahimajn, të rënët në Rrezallë të Drenicës e Llovë të Gjilanit dhe Fetnete Ramosajn.

Ai tha se respekti për ta forcon themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës.

“5 prilli sjellë kujtimin për trimat e rrallë që kishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kujtoj me respekt heroizmin e bashkëluftëtarit tim Naser Brahimaj, me pushkën e të cilit u shënuan shumë beteja të Luftës Çlirimtare. Sot kujtojmë po ashtu, jetët e pafajshme që barbarët i rrëmbyen në Rrezallë të Drenicës dhe në Llovcë të Gjilanit. Këto masakra, nga të cilat ende shumë të pagjetur, janë plagë e hapur e Kosovës dhe i japin zë, thirrjes sonë për drejtësi”, tha Haradinaj.

Ai ka shkruar se sot gjithashtu, u mbushën 3 vjet pa gruan e cila bëri dhe shkroi historinë, zërin e UÇK-së, bashkëluftëtaren time Fetnete Ramosaj.  “Përjetësisht përulem para sakrificës së atyre që dhanë nga jeta e tyre për lirinë tonë! Respekti për ta forcon themelet e lirisë dhe shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj. /albora.ch

Marketing