Marketing

Raportet e mediave kanë dalë se qendrat e refugjatëve në Cyrih janë ‘plot’ ndërsa mijëra njerëz mbërrijnë në Zvicër duke ikur nga konflikti në Ukrainë.

Zvicra, ndonëse nuk është fqinje e Ukrainës, ka treguar se pret të pranojë deri në 50,000 refugjatë, megjithëse janë parashikuar edhe shifra më të larta.

Të martën në mesditë, SEM njoftoi se qendra e Cyrihut nuk mund të regjistronte më refugjatë, pasi është e mbingarkuar nga numri i kërkesave për leje S. Megjithatë, kjo vlen vetëm për të martën, shkruan thelocal, transmeton albora.ch.

Të mërkurën pasdite, gazeta zvicerane e lajmeve 20 Minutes raportoi për radhë të gjata në Qendrën Federale të Azilit në Cyrih, një nga gjashtë të krijuara në të gjithë vendin për të administruar ardhjet e refugjatëve ukrainas.

Disa në radhë thanë se kishin qenë në qendër disa herë, por nuk kishin mundur të regjistroheshin, me radhë që lëviznin ngadalë “për shkak të pengesave gjuhësore” dhe çështjeve të tjera.

A është qendra në Cyrih plot dhe si është situata në pjesën tjetër të vendit?

Autoritetet thanë se qendra nuk ishte plot dhe se të ardhurit e rinj do të përpunoheshin sa më mirë që të ishte e mundur, megjithëse ata pranuan se kishte kohë të gjata pritjeje.

“Kapacitetet për regjistrimin e personave që kanë ikur nga Ukraina janë duke u rritur vazhdimisht. Ne jemi gjithashtu në proces të shqyrtimit të opsioneve alternative të regjistrimit”, tha zëdhënësi, Reto Kormann për 20 Minutes.

Çdo qendër zakonisht pranon rreth 1,000 aplikantë në muaj, tha Kormann, por aktualisht po përpiqen të përpunojnë 800 persona në ditë.

Kormann megjithatë tha se edhe aty ku njerëzit duhet të presin, kjo do të jetë vetëm për një periudhë të shkurtër kohe dhe se lejet e tyre S – skema speciale e vizave e aktivizuar për herë të parë për ata që ikin nga konflikti në Ukrainë do të jepen.

“Të gjithë të tjerët mund të regjistrohen vetëm brenda një ose dy javësh, kështu që nuk ka disavantazhe për ta”, tha Kormann.

“Nuk ka kuota për statusin e mbrojtjes S. Kushdo që kërkon mbrojtje në Zvicër do ta marrë atë”.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin tha në Tëitter se ukrainasit nuk kanë nevojë të regjistrohen pas mbërritjes.

Sipas rregullave ekzistuese të vizave, ukrainasit që mbërrijnë në Zvicër lejohen të qëndrojnë 90 ditë pa aplikuar për vizë. Për të llogaritur më mirë fluksin, Zvicra është aktualisht në procesin e ngritjes së një sistemi regjistrimi online.

Përveç qendrës në Cyrih, qendra të tjera federale janë ngritur në Boudry (NE), Bazel, Bern, Chiasso (TI) dhe Altstätten (SG).

Deri më 17 mars, 7,903 refugjatë nga lufta në Ukrainë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë regjistruar në Zvicër, 3,664 prej të cilëve kanë qenë të strehuar privatisht./albora.ch/

Marketing