Marketing

Drejtori i Departamentit Federal të Çështjeve Ekonomike, bën thirrje për kujdes në miratimin e sanksioneve të reja kundër Moskës, të cilat sipas tij do të rrezikojnë ta bëjnë situatën ndërkombëtare edhe më të pasigurt.

Këshilltari Federal, Guy Parmelin paralajmëron për pasojat globale të sanksioneve kundër Rusisë në tregtinë e mallrave, “sepse nuk ka të bëjë vetëm me naftën dhe gazin, por edhe me ushqimin”, transmeton albora.ch.

“Jam kundër marrjes së masave që çojnë në probleme të reja gjetkë dhe përkeqësojnë më tej krizën globale”, thotë kreu i Departamentit Federal të Çështjeve Ekonomike, Edukimit dhe Kërkimit, në një intervistë në edicionin e sotëm të “Schweiz am Wochenende”.

Guy Parmelin këshillon për kujdes kur bëhet fjalë për tregtimin e mallrave.

“Sepse nuk ka të bëjë vetëm me naftën dhe gazin, por edhe me ushqimin,” kujton ai. Vende si Jordania, Tunizia dhe Egjipti blejnë 50-90% të nevojave të tyre për drithëra nga Ukraina ose Rusia. Nëse anijet bllokohen për shkak të një embargoje, shumë vende në Lindjen e Mesme janë në rrezik nga uria dhe destabilizimi”, thekson ai.

“Nëse BE-ja do të merrte masa të tilla, Këshilli Federal do të duhej t’i analizonte ato me kujdes dhe gjithashtu të merrte parasysh efektet anësore globale”, shtoi Parmelin.

Sipas eksponentit të UDC, Zvicra mund të konsiderojë t’i bashkohet këtij lloji sanksionesh nëse BE-ja vendos që shtetet anëtare të rezervojnë një përqindje të caktuar të stoqeve të tyre për vendet e treta që u mungojnë ato.

Nga ana tjetër, ministri zviceran i ekonomisë shpreson për një armëpushim sa më të shpejtë në Ukrainë.

“Jo vetëm për viktimat e luftës, por rrezikojmë që mbjellja në Ukrainë të mos bëhet në kohë. Një dështim i të korrave këtë vit do të kishte pasoja të rënda për furnizimet globale të drithërave”, theksoi këshilltari federal./albora.ch/

Marketing