Zëvendësministrja në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, përmes një statusi në Facebook ka njoftuar se po qëndron për vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Gjatë vizitës në Emiratet e Bashkuara Arabe, zhvillova disa takime të rëndësishme me autoritetet vendase si dhe përfaqësues të shteteve pjesëmarrëse në Dubai Expo 2020. Zhvillova takime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë në Abu Dhabi”, ka shkruar Gashi.
“Po ashtu pata kënaqësinë të takohem me përfaqësuesit e Xhamajkës, Etiopisë, Ruandës, Botsvanës, Nepalit, Sudanit, si dhe Cabo Verdes në kuadër të takimeve të realizuara në #Expo2020”.
Sipas saj, të gjitha këto takime kishin të përbashkët vullnetin që në të ardhmen të intensifikohet bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe vendeve respektive në fushat me interes të përbashkët. /albora.ch/