Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka premtuar një varg ndryshimesh në sektorin e shëndetësisë, të cila sipas tij do ta reformojnë në thelb sistemin shëndetësor në vend, duke filluar me Ligjin për Shëndetësi së bashku me atë për sigurime shëndetësore.

Marketing

Gjatë raportimit para Komisionit parlamentar për Shëndetësi të martën, Vitia ka thënë se para vetes ka një sërë urgjencash dhe prioritete, derisa ka shtuar se ka mungesë të planifikimit.

“Gjatë këtij viti do të miratohet Ligji për Shëndetësisë bashku me atë për sigurime shëndetësore dhe këto dy ligje do të jenë thelbi i reformës në sektorin e shëndetësisë. Reformimi dhe përforcimi i inspektoratit shëndetësor, reformimi i SHSKUK-së, përforcimi i agjencisë për barna përfshirë Ligjin për rregullimin e barnave. Këto masa presim ta japin rezultatin e tyre këtë vit në gjashtë mujorin e parë. Ka një kulturë pune të munguar në planifikim”, ka thënë Vitia.

Mes tjerash ministri Vitia bëri të ditur se janë siguruar për herë të parë edhe 300 vaksina të HPV-së, e cila parandalon dhjetëra infeksione të cilët rrisin rrezikun e kancerit të qafës së mitrës te vajzat dhe gratë.

Në raportim para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, ministri Vitia ka thënë se vaksina e HPV-së do të përfshihet në planin e rregullt të vaksinimit.

“Sa i përket vaksinimit të rregullt, janë siguruar për herë të parë 300 vaksina të HPV-së, dhe plani i ri i vaksinimit të rregullt do të përfshijë edhe këtë vaksinë në mesin e vaksinave të rregullta si një hap më tej drejt mbrojtjes së vajzave të reja nga kanceri i qafës së mitrës”, tha ai të martën.

Vitia, para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi, theksoi se në mesin e të arriturave të Ministrisë së Shëndetësisë janë edhe pajisjet bazike për ofrimin e shërbimeve shëndetësore të cilat janë shpërndarë në 26 komuna të vendit.

Ai tha se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar me sukses barnat esenciale për spitalet dhe qendrat e mjekësisë familjare në vend.

Sipas tij, prioritete janë edhe sigurimi i profesionistëve shëndetësorë në fushat deficitare, zvogëlimin e listave të pritjes, kontrollin e sigurisë së barnave dhe mbikëqyrjen e institucioneve private për shërbimet që ofrojnë.

Vitia po ashtu ka bërë të ditur se këtë vit planifikohet hapja e konkursit të ri për specializantët.

Marketing