Aksident i rëndë ndodhi sot në aksin Elbasan Librazhd në vendin e quajtur kthesat e Murrashit.
Vetura e tipit benz ML ka përfunduar në ujërat e lumit Shkumbin, nga një lartësi prej 300 metrash. 3 persona kanë humbur jetën ndërsa dy të tjerë janë lënduar. Një fëmijë në gjendje kome dhe një vajzë tjetër e lënduar rëndë. Bilanci mund të jetë edhe më tragjik orët në vijim, raporton Top Cahnnel.
Për më shumë se dy orë ekipet e policisë, zjarrfikëses, ekipet e emergjencave, drejtues mjetesh dhe familjarë janë angazhuar për të nxjerrë njerëzit e përfshirë në aksident të cilët mbetën në makinë.
Dy persona u nxorën fillimisht të pajetë, një çift bashkëshortësh, ndërsa një djalë 18 vjeçar u nxor dy orë më pas nga makina e dëmtuar në ujërat e lumit.
Ajo që mund të shihet qartë, një mjet i cili udhëtonte nga Elbasani në drejtim të Librazhdit, ka tentuar të evitojë gurët të cilët ndodheshin në rrugë e për pasojë i ka zënë rrugën mjetit tip ML, që vinte në drejtimin tjetër, nga Librazhdit në drejtim të Elbasanit.
Për të evituar mjetin përballë, por edhe për shkak të kohës së keqe, terrenit të rrëshqitshëm, por edhe shpejtësisë, mjeti tip ML nuk ka mundur të evitojë aksidentin e për pasojë ka përfunduar në ujërat e lumit Shkumbin.
Të cilësuara si kthesat e vdekjes, ky nuk është rasti i parë i aksidenteve në Kthesat e Murrashit, për shkak të rënies së gurëve nga shpati i malit sa herë ka reshje shiu. në vitin 2013 një mjet përfundoi në ujërat e lumit Shkumbin, në atë kohë humbën jetën burrë e grua.
Disa ditë më pas, sërish në Mars të vitit 2013 një tjetër mjet ra në Shkumbin, fatmirësisht pa pasoja. Raste të tilla janë të shumta dhe thuajse të përditshme./albora.ch/