Është publikuar në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, rregullorja e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovës. E njëjta pritet të hyjë në fuqi më 15 maj të këtij viti ndërsa kosovarët do të mund të lëvizin pa viza në shtetet e zonës Schengen nga 1 janari 2024.

Marketing

Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën është nënshkruar më 19 prill në selinë e Parlamentit Evropian, ku pjesëmarrës ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Ceremonia e nënshkrimit është zhvilluar  në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.

Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.

Pas liberalizimit të vizave, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë deri në 90 ditë, në një periudhë brenda gjashtë muajsh, në të gjitha shtetet që janë anëtare në zonën Schengen.

Regjimi pa viza nuk nënkupton leje pune, por kosovarët do të mund të realizojnë vizita turistike apo të tjera për çështje familjare.

Rregulloren e plotë lidhur me liberalizimin e vizave mund ta gjeni KËTU.

Drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha ka deklaruar se tashmë institucionet e Kosovës kanë kohë mjaftueshëm të ndërmarrin fushatat e nevojshme të informimit për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve që burojnë nga lëvizja e lirë në Zonën Shengen

“Sapo u publikua në gazetën zyrtare të BE-së Rregullorja 2023/850 e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovën. Sipas nenit 2 të Rregullores ajo hyn në fuqi me 15 maj 2023. Kjo do të lejoj mjaftueshëm kohë institucioneve të Kosovës të ndërmarrin fushatat e nevojshme të informimit për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve që burojnë nga lëvizja e lirë në Zonën Shengen, por edhe do jap mjaftueshëm kohë autoriteteve kufitare të vendeve të BE-së të përgatiten për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës nga 1 janar 2024”, ka deklarua ai në Twitter.

Vendimi për heqjen e vizave është mirëpritur nga liderët politikë, shoqëria civile dhe qytetarë, megjithëse kritikuan institucionet e BE-së që një proces i tillë është stërzgjatur.

Marketing