Agora Energiewende nga Gjermania dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë organizuar tryezën me temën “Marrëveshjet e blerjes së energjisë së ripërtëritshme në Ballkanin Perëndimor – Mundësitë dhe pengesat”.

Marketing

Tryeza organizohet në kohën kur lufta në Ukrainë ka shprehur nevojën që Evropa të dalë nga varësia e importit të karburanteve fosile sa më shpejt që të jetë e mundur, që do të thotë se ndërtimi i sasive të mëdha të burimeve të ripërtërishme duhet të bëhet realitet në të tashmen, e jo në të ardhmen.

Për më tepër, burimet e ripërtërishme ofrojnë mbrojtje natyrale kundër cenueshmërisë së çmimeve të tregjeve dhe të mbrojnë konsumatorët fundorë nga paqëndrueshmëria e çmimeve të energjisë nga burimet fosileve, duke kontribuar kështu në pavarësimin e energjisë dhe sigurinë e furnizimit. Prandaj, kapacitetet e konsiderueshme të erës dhe ato fotovoltanike duhet të instalohen në Ballkanin Perëndimor në një afat kohor relativisht të shkurtër, por këto vende ende po përballen me barriera të shumta që pengojnë rritjen e zgjerimit të burimeve të ripërtërishme, u tha në debatin me ekspertë të energjisë, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë të Kosovës etj.

Besiana Qorraj Berisha, zyrtare e lartë për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë në Ministrinë e Ekonomisë , tha se një ndër objektivat është edhe dekarbonizimi dhe promovimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë.

“Palët kontraktuese janë të obliguara ta bëjnë transfuzimin e direktivave për energji të pastër. Duke marrë këto obligime Kosova veçse ka filluar të hartojë Projektligjin për energji të ripërtërishme. Grupi punues është themeluar”, u shpreh ajo.

“Një ndër objektivat është edhe dekarbonizimi dhe promovimi i burimeve të ripërtërishme të energjisë. Ne do të mbajmë edhe dy takime, një me organizatat joqeveritare dhe një takim tjetër me donatorë, që të diskutojmë draftin final. Paralelisht edhe me Projektligjin për burime të ripërtërishme ne kemi formuar një grup punues për identifikimin e skemës së re për burimet e ripërtërishme, në mënyrë që ankandi i parë të këtë vit të tenderohet dhe të jetë i gatshëm”.

“Jemi në zhvillim të tri ligjeve: Ligji i energjisë elektrike, energjisë dhe Rregullatorit të energjisë”, tregoi ajo.

Sonja Risteka nga Agora Energiewende tha se qëllimi i tyre është të ndihmojnë me agjendën e gjelbër në rajon dhe në botë. “Duke ofruar njohuri duke krijuar bashkëpunim, duke ndërtuar një urë në mes të Brukselit Berlinit dhe Ballkanit”.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për krizën energjetike dhe luftën në Ukrainë dhe kjo i ka fryrë çmimet dhe e ka qitë në ballë të diskutimeve krizën energjetike. Burimet e ripërtërishme janë një temë që po ashtu është duke dalë në pah, në kuptim të rëndësisë që e kanë”.

Ajo tha se Kosova është në zhvillim e sipër dhe se duhet të gjendet një mënyrë sesi t’i fusim në funksion burimet e ripërtërishme. “Një gjë që është me rëndësi për Kosovën, Kosova është në buzë të dizajnimit të një të ardhmeje të re energjetike” .

Rita Kunert, këshilltare e Energjisë në Enervis, GmbH, tregoi se është konsulente me bazë në Berlin dhe merret me modelim dhe analiza ta tregut. “Kemi punuar në sektorin e modelimit të sektorit të energjisë. Kemi bërë një numër të studimeve se si sektori i energjisë do të duket në shtetit e Ballkanit… Në momentin që kemi filluar, pyetja kryesore ka qenë që të bëjmë një pasqyrë të energjisë të dekarbonizuar se si do të duket deri në vitin 2045”.

“Diskutuam se cilat janë skenarët e tregut që i përgjigjen pyetjeve që kanë të bëjmë me dekarbonizimin krahasuar me skenarët me bazë të fosileve. Pastaj e kemi edhe modelin evropian. Për 2050 e bëmë modelin pastaj vlerësuam skenarët”.

“Të gjitha rezultatet janë të agreguara për Ballkanin perëndimor. Kosova është e përfshirë në këto rezultate, po se kemi fokusin vetëm në Kosovë e kemi një pamje rajonale”.

Ajo foli për vijën kohore të tranzicionit 2022-2045 dhe zhvillimin e kapaciteteve të sektorit energjetik për krejt Ballkanin. “Për të mbërritur atë kombinim që po synojmë, duhet të fillojmë tranzicionin sot, thuajse sot”.

Duke e përmbledhur diskutimin e saj, Kunert theksoi se dekarbonizimi i tregut të energjisë është i mundshëm dhe me kosto efektive.

Marketing