Ekspertët shëndetësor nuk po e shohin të arsyeshme trajtimin e fëmijëve jashtë vendit, përkundër që në spitalin që u dedikohet atyre janë dhënë 22 milionë euro. Madje ata e kanë kritikuar Qeverinë për mosmenaxhim të duhur të komplet sistemit shëndetësor.

Marketing

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se ka destabilizim të vendimmarrjes ku më së shumti po pësojnë pacientët dhe profesionistë shëndetësor.

Madje, Zemaj shtoi se klientelizimi ka shkaktuar probleme të mëdha në punët menaxheriale, por edhe në punët ekipore që bëjnë mjekët.

Sipas tij, për shërbimet jashtë spitaleve publike, Ministria ka hyrë në borxhe, madje edhe dyshohet për keqpërdorime.

“Kemi një destabilizim të vendimmarrjes mes pjesën administrative, sekretarit, Qeverisë, ministrisë dhe askujt kush tash nuk i përgjigjet dhe më së shumti po pësojnë pacientët dhe profesionistë shëndetësor dhe është krijuar një anarki në kuptimin e përgjegjësisë institucionale brenda këtij institucioni dhe nuk ka plotësim të mekanizmave mbikëqyrës të sigurimeve shëndetësore, por ka vetëm klientelizëm në kapjen e klinikave të cilat kanë shkaktuar probleme të mëdha në punët menaxheriale, por edhe në punët ekipore që bëjnë mjekët”.

“Vetë Ministria qe një vjet e gjysmë e ka lënë pa bord mbikëqyrës dhe mënyra si trajtohet shërbime jashtë spitalore kanë hyrë në borxhe të mëdha dhe dyshohet për keqpërdorime të mëdha”, tha Zemaj.

Përderisa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria qe gjashtë muaj nuk ka arritur të funksionalizojë në mënyrë të plotë spitalin e fëmijëve, duke shtuar se mungojnë produktet bazike.

“Brenda vitit të fundit kemi parë degradim në shëndetësi dhe paaftësi totale në menaxhim dhe udhëheqje. Një spital i fëmijëve që është investuar 22 milionë euro nga Emirate e Bashkuara Arabe më shumë se gjashtë muaj që ka bërë kjo Qeveri nuk ka arritur të bartë mjekët dhe të bëjë funksionalizim plotë. Janë katër salla të operacionit dhe vetëm dy janë funksionale. Mjekët nuk kanë dhoma ku të ndërrohet ndërsa laboratori nuk është funksional në këtë spital”.

“Sa i përket trajtimit të fëmijëve jashtë vendit ideja ka qenë që të investohet në spitalin e fëmijëve që fëmijët të marrin shërbimin në Kosovë në mënyrë që të mos kenë nevojë që të shkojnë për trajtim jashtë vendit. Nuk po arrin kjo Qeveri të bëjë këtu ndonëse kemi investim 22 milionë euro”, tha Haxhiu.

Infektologu Hamdi Ramadani theksoi se Kosova nuk e ka kapacitetin që të trajtojë rastet e fëmijëve më sëmundje të zemrës.

“Sëmundjet e fëmijëve janë të gjëra, por intervenimet në zemër nuk zhvillohet sikurse në vende të tjera. Kështu që mendoj vendi nuk e ka kapacitetin që të trajtojë çdo rast me sëmundje të zemrës qoftë defekte të zemrës të lindura kështu që mendoj autoritet shëndetësore janë të kujdesshme dhe mendoj që bëjnë rekomandimin”, tha Ramadani.

Sipas tij, mjekët meritojnë më shumë paga dhe mbështetje nga Ministria e Shëndetësisë.

“Sigurisht që në Kosovë punëtori shëndetësor nuk e ka nivelin e stimulimit dhe pagës sepse mjekët meritojnë më shumë paga dhe mbështetje dhe njerëzit në vendet tjera po e gjejnë veten më mirë në pikëpamje materiale dhe financiare. Një mjek që merr pagë katërfish më shumë zgjedh të shkoj jashtë vendit”.

Marketing