Persona të profilit të lartë, të cilët përballen me akuza për krim të organizuar dhe korrupsion në Kosovë, zakonisht shpëtojnë lehtë nga ndjekja penale, thonë përfaqësues të organizatave që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë.

Marketing

Kritikat e vazhdueshme në adresë të gjyqtarëve e prokurorëve kryesisht ndërlidhen me mungesën e pavarësisë dhe me ndikimin politik ndaj tyre, por edhe me punën e ngadaltë, që rezulton pastaj me vjetërsimin e lëndëve.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës ndërkombëtare “Transparency International”, Kosova me vite renditet në mesin e vendeve që kanë nivel të lartë të korrupsionit.

Duke iu referuar gjetjeve të një raporti të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), i cili ka vlerësuar se Kosova nuk ka bërë luftë efektive kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, thotë se sistemi i drejtësisë po dështon vazhdimisht në gjykimin e rasteve të profileve të larta.

“Kosova nuk ka arritur të dëshmojë as vullnet e as rezultate konkrete, për të dënuar me aktgjykime përfundimtare personat e fortë apo personat e profilit të lartë, për vepra penale korruptive”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar më 12 prill raportin vjetor për të drejtat e njeriut në botë, ku në pjesën për Kosovën është vlerësuar se personave të profilit të lartë, që përballen me aktakuza për korrupsion, u shqiptohen dënime të lehta, të tilla si me kusht apo me gjobë dhe jo dënime me burgim efektiv.

“OJQ-të dhe organizatat ndërkombëtare kanë pretenduar se ka dështime të shumta nga sistemi gjyqësor për të ndjekur penalisht korrupsionin, duke vënë në dukje se shumë pak raste të ngritura kundër zyrtarëve të lartë, kanë rezultuar me dënime”, thuhet në raportin e DASH-it.

Gjetjet e DASH-it janë mbështetur në raportimet e vazhdueshme edhe të organizatave joqeveritare në Kosovë.

Zvarritje dhe hedhje poshtë e aktakuzave

Në bazë të një monitorimi që ka bërë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), gjatë vitit 2021, gjykatat e shkallës së parë në Kosovë kanë pasur 424 lëndë të korrupsionit, ndërsa kanë arritur të merren me vetëm 129 prej tyre. Prej këtyre të fundit, 38 kanë përfunduar me aktgjykim lirues apo refuzues, të tjerat kanë mbetur në trajtim.

Shumë aktakuza ndaj personave të profileve të larta janë të destinuara të dështojnë qysh në fillim, thotë Njmoza Arifi, menaxhere e programeve në GLPS.

“Ne kemi dhënë kritika edhe sa i takon mangësisë së aktakuzave që kanë të bëjnë me aktet akuzuese, sepse, në të shumtën e rasteve, nuk janë të arsyetuara mirë, sidomos ato raste ku janë të përfshira figura të nivelit të lartë”, thotë Arifi.

Miftaraj thotë se aktualisht janë dy fenomene në sistemin e drejtësisë që pengojnë rezultatet: Këshilli Gjyqësor që po mundohet të rrisë performancën dhe kredibilitetin e gjykatave, si dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës me qeverisje, sipas tij, të dobët dhe me tendenca të pandëshkueshmërisë.

“Përderisa Këshilli Gjyqësor është duke bërë njëlloj vettingu vetanak në sistemin gjyqësor, Këshilli Prokurorial po vazhdon me të vjetrën, duke i ofruar vetvetes pandëshkueshmëri apo duke ndërmarrë veprime që janë duke cenuar kredibilitetin dhe subjektivitetin e këtij sistemi”, shprehet Miftaraj.

Miftaraj i referohet procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, i cili është kontestuar nga organizatat vendore, si dhe nga ambasadat e SHBA-së e Gjermanisë dhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Kontestimi është bërë pasi organizatat që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes, kanë thënë se vlerësimi i kandidatëve nuk ka qenë real dhe se në procesin e intervistimit ka pasur trajtim të pabarabartë të kandidatëve.

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka propozuar më 6 prill Blerim Isufajn për kryeprokuror të Shtetit, por vendimin për dekretimin e tij ose jo do ta marrë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Marketing