Sulmuesi kosovar, Fisnik Asllani, tashmë ka debutuar në Bundesligën e Gjermanisë në futboll.

Marketing

Por Asllani të martën ka konfirmuar rritjen e madhe.

Ai zyrtarisht është promovuar në ekipin e profesionistëve të Hoffenheimit, klubit të njohur gjerman.

Hoffenheimi e ka vlerësuar Asllanin talent të madh. 19-vjeçari deri më tani zyrtarisht ishte pjesë e ekipit U23 të klubit, por prej të martës është pjesë e ekipit senior që drejtohet nga Sebastian Hoenes.

Me ekipin U23 të Hoffenheimit, Asllani ka luajtur pesë ndeshje në kategorinë e katërt gjermane, këtë edicion. Ka shënuar një gol dhe ka asistuar tri herë. Ndërkohë është grumbulluar tri herë me skuadër për ndeshje të Bundesligës dhe ka debutuar më 20 nëntor.

“Fisniku është lojtar shumë i talentuar dhe profil interesant i sulmuesit. Ai kombinon shumë komponentë të një nëntësheje klasike. Ai ka lënë përshtypje të forta në përgatitjet e verës dhe në gusht është konsideruar seriozisht përfshirja e tij në ekipin profesional. Për fat të keq një lëndim i gjurit që e pësoi në miqësoren ndaj Reimsit e ktheu prapa për disa javë”, ka thënë Alexander Rosen, drejtor i futbollit profesional te TSG Hoffenheim.

“Fisniku është një rast tjetër i mënyrës se si ne i identifikojmë talentet, se si i zhvillojmë me kujdes dhe në fund i integrojmë në ekipin profesional”, ka shtuar Rosen.

Asllani është te Hoffenheimi prej verës së vitit 2020 dhe ka kontratë deri më 30 qershor të vitit 2024. Pasi ka munguar disa ditë për shkak të një sëmurje, Asllani të mërkurën bashkohet në stërvitje me ekipin e parë të Hoffenheimit.

Asllani është i lindur në Gjermani, ndërsa është zhvilluar te Dynamo Berlini dhe Union Berlini.

Te Unioni ishte prej vitit 2016 e deri në vitin 2020. Asllani i ka pesë paraqitje për U17 të Kosovës, ndërsa më pas ka luajtur për U18 të Gjermanisë.

Hoffenheimi e llogarit pjesë të grupmoshave të reja të Gjermanisë. Kalimi te profesionistët e Hoffenheimit është hap i madh për karrierën e tij.

Hoffenheimi tani është prej skuadrave të mëdha gjermane. Aktualisht e mban vendin e pestë në Bundesligë me 28 pikë të mbledhura nga 17 ndeshje. Edicionin e kaluar e ka përfunduar në pozitën e 11-të.

Në Bundesligë është nga edicioni 2008/09, kurse rangimin më të mirë e kishte në edicionin 2017/18. Kishte përfunduar në vend të tretë. /albora.ch/

Marketing