Gjermania dhe Franca “kanë rënë dakord të mos pajtohen” me masën e Bashkimit Evropian për të etiketuar energjinë bërthamore si të gjelbër.

Marketing

Ka qenë ministrja gjermane për Evropën, Anna Luehrmann, e cila ka mohuar çdo konflikt midis dy gjigantëve evropianë për këtë çështje.

E gjitha lidhet me një projekt-propozim të Komisionit Evropian për ta etiketuar energjinë bërthamore, së bashku me gazin natyror, si burime “të gjelbra”, të pranueshme për investime sipas rregullave për promovimin e një të ardhmeje neutrale ndaj karbonit.

Media franceze “RFI” tregon se Franca ka udhëhequr akuzën për energjinë bërthamore që të përfshihet në listë.

Kurse Gjermania, që ndodhet në procesin e mbylljes së të gjitha centraleve të saj bërthamore, mbetet kundër kësaj lëvizjeje.

“E dimë se cili është pozicioni francez për energjinë bërthamore dhe pala franceze e di shumë mirë se cili është pozicioni gjerman”, ka thënë Luehrmann.

“Kështu që, mund të themi se jemi dakord të mos pajtohemi për këtë çështje dhe më pas të kthehemi te çështjet ku duam të ecim përpara… nga mbrojtja e klimës tek investimet e qëndrueshme, te çështja e sovranitetit strategjik evropian”, ka shtuar ajo.

Për sa i përket listës së energjisë së gjelbër të BE-së, ishte menduar të dilte para fundit të vitit 2021, por ndarjet e thella midis shteteve anëtare e kanë penguar.

Në natën e Vitit të Ri, Komisioni Evropian shpërndau në heshtje një draft-tekst të planeve dhe ka treguar se kishte nisur konsultimin me vendet anëtare për propozimin.

Nëse shumica e shteteve anëtare e mbështesin atë, drafti do të bëhet ligj i BE-së, duke hyrë në fuqi nga viti 2023.

Në muajin tetor, Franca ka nënshkruar një marrëveshje në mbështetje të energjisë bërthamore me nëntë shtete të tjera të BE-së, duke përfshirë Poloninë dhe Republikën Çeke.

Por, ministrja gjermane e Mjedisit, Steffi Lemke, ka thënë se përfshirja e energjisë bërthamore në listë do të ishte “absolutisht e gabuar”.

Sipas saj, fuqia atomike “mund të çojë në katastrofa shkatërruese mjedisore”.

Në fund të vitit të kaluar, Gjermania mbylli tre nga gjashtë termocentralet e saj të mbetura bërthamore dhe pritet që të mbyllë edhe të tjerët deri në fund të vitit 2022.

“Duhet të shkojmë në një drejtim tjetër për arsye klimatike, por edhe për arsye të pavarësisë politike dhe e shoh këtë si një argument kundër gazit dhe energjisë bërthamore”, ka thënë Luehrmann.

Nga ana tjetër, ajo ka pranuar gjithashtu se “e dimë që nuk jemi shumica në Evropë” për këtë çështje. /albora.ch/

Marketing