Sot pritet të rinisë gjyqi ndaj presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta në Gjykatën Kushtetuese.
Në të njëjtën kohë kur juristët e kreut të shtetit do të jenë para gjyqtarëve kushtetues, pak metra më tutje Meta nga zyra e tij do të lexojë publikisht përgjigjet e 72 pyetjeve të bëra nga anëtarët e gjykatës.
Mediet raportojnë se presidenti ka zgjedhur të mos marrë pjesë fizikisht në gjyqin që po zhvillohet ndaj tij, duke ia lënë në dorë mbrojtjen juristëve.
Më 3 shkurt, Presidenca paraqiti një fashikull prej 140 faqesh, ku vihej në pikëpyetje legjitimiteti i Kuvendit që shkarkoi Metën, ndërsa shumica socialiste u akuzua për hakmarrje politike.
Parashtrimet e juristëve të Metës nuk bindën gjyqtarët kushtetues të cilët drejtuan një mori pyetjesh në adresë të kreut të shtetit.
Më 9 qershor, me 104 vota pro, Kuvendi i Legjislaturës së kaluar vendosi shkarkimin e Presidentit, ndërsa tani duhet një vendim kushtetues që Meta të shkarkohet.