Çdo vit më 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët organizojnë Ditën botërore pa duhan, e cila ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit mbi rreziqet nga përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij.

Marketing

Kjo ditë në Kosovë do të shënohet nga IKSHPK-ja me moton: “Duhani – kërcënim për mjedisin tonë”, duke potencuar faktin që gjatë tërë ciklit jetësor, duhani ndot planetin dhe dëmton shëndetin e njerëzve.

Duhani është një faktor kryesor risku për sëmundjet jo-ngjitëse, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabeti.

Përfitimet e lënies së duhanit janë pothuajse të menjëhershme. Pas vetëm 20 minutash pa duhan, ulen rrahjet e zemrës, brenda 12 orësh bie në nivel normal monoksidi i karbonit në gjak, brenda 2-12 javësh, përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe rritet funksioni i mushkërive.

Brenda 1-9 muajve zvogëlohen kollitja dhe gulçimi. Brenda 5-15 vjetësh, risku i goditjes në tru bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin. Brenda 10 vjetësh, shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive përgjysmohet krahasuar me atë të duhanpirësve. Brenda 15 vjetësh, risku i sëmundjeve së zemrës bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin.

Ndryshe, shanset që duhanpirësit ta lënë duhanin me sukses janë 84% më të mëdha kur marrin këshillim intensiv nga mjeku.

Në nivel botëror, rreth 39% e burrave dhe 9% e grave janë duhanpirës. Normat më të larta të duhan-pirjes gjenden aktualisht në Evropë, në nivel prej 26%, ndërkohë që parashikimet tregojnë një rënie prej vetëm 2% deri në vitin 2025 nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime urgjente. /kp/

Marketing