Qeveria ka vendosur të përgatisë një plan shpëtimi për kompanitë kryesore të energjisë elektrike të Zvicrës për të parandaluar mungesën e energjisë.

Marketing

Qëllimi është të sigurohet likuiditet financiar për kompanitë e tregtimit të energjisë në shkallë ndërkombëtare dhe të shmanget një krizë e energjisë elektrike në Zvicër, njoftoi të enjten Ministrja e Energjisë Simonetta Sommaruga.

Ajo tha se falimentimi i një kompanie të madhe të energjisë elektrike mund të shkaktojë një reaksion zinxhir që kërcënon furnizimin me energji të Zvicrës.

“Nuk kemi kohë për të humbur, duhet të përgatitemi për një skenar të rastit më të keq”, tha Sommaruga në një konferencë shtypi.

Sipas planit, qeveria do të ndërhynte si një “huadhënës i fundit”, ndërsa firmave të energjisë dhe aksionerëve të tyre u kërkohet të marrin masat e nevojshme për të përballuar rritjen masive të çmimeve që nga fundi i vitit të kaluar.

Kompanitë po konkurrojnë në një treg ndërkombëtar shumë të paqëndrueshëm, i vështirësuar nga lufta në Ukrainë dhe pozicioni i Rusisë si një vend i rëndësishëm eksportues i gazit, veçanërisht në Evropën Perëndimore.

Kushtet e rrepta

Sommaruga tha se kushtet për paketën e ndihmës do të ishin të rrepta, duke përfshirë një ndalim të pagesës së dividentëve, për të dekurajuar shumë aplikantë, shkruan sëissinfo.ch.

Është vlerësuar se vetëm disa kompani të energjisë elektrike do të kualifikohen për mbështetjen e qeverisë deri në 10 miliardë CHF (10.67 miliardë dollarë) në total gjatë katër viteve të ardhshme.

Sommaruga tha se qeveria do të paraqesë një projekt-ligj në parlament për të diskutuar dhe miratuar ligjin në qershor.

Në janar, një nga kompanitë kryesore zvicerane të energjisë elektrike, Alpiq, i kërkoi qeverisë ndihmë financiare, por më vonë e tërhoqi kërkesën.

Ministria e energjisë ngriti një grup pune mes thirrjeve nga Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë për t’u fokusuar në prodhimin vendas të energjisë dhe shtyrjen e një reduktimi të planifikuar në emetimet e CO2.

Masa të tjera përfshijnë ngritjen e një rezerve hidroenergjetike dhe ndërtimin e disa termocentraleve me gaz ./albora.ch

Marketing